
Berisha: Do nisim konsultimet, lista e PD do të pasqyrojë vullnetin e anëtarësisë
Sali Berisha
TIRANË- Jashtë sallës së Kuvendit të Shqipërisë, kryedemokrati Sali Berisha pranoi para gazetarëve se shumë shpejt do të nisin konsultimet për listën e deputetëve të Partisë Demokratike. Berisha u shpreh se do të ketë takime me drejtuesit e qarqeve dhe më pas do të mblidhet Kryesia e PD, ku do të bëhet edhe përcaktimi i emrave në lista. Po ashtu, një koment e bëri edhe për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili njoftoi fillimin e agjërimit për muajin e Ramazanit.
“Zoti ja pranoftë agjërimin, por edhe vjedhjet e tij le t’i dorëzojë, t’ua japë atyre që ua ka marrë, që të pastrojë shpirtin,”-tha Berisha.
PRONONCIMI JASHTË PARLAMENTIT:
Të gjithë besimtarëve myslimanë që agjërojnë sot Ramazanin, ua pranoftë dhe sakrificën e tyre t’ua ngushëllojë në mirësi për veten, familjen dhe shoqërinë shqiptare. Tani, më thatë ju që ai ka zgjedhur Kuranin, shumë e njohur. Po të lexosh atje do të dëgjosh edhe këtë që: ‘Ndodh thotë Kurani, që libri i shenjtë bie edhe në duart e djallit. Por kjo nuk do të thotë se djalli bëhet besimtar as dhe se Kurani turpërohet apo ndodh gjë me të’. Kështu që ai të mbajë çdo gjë, ai mbetet siç është, një kriminel i vërtetë, një bashkëpunëtor i disa bandave, një njeri i implikuar në shumë lloj krimesh.
Pyetje: Zoti Berisha, kthehemi tek muaji i shenjtë i Ramazanit. Kryebashkiaku i Tiranës, Zoti Erion Veliaj ka thënë që ka nisur të agjërojë Ramazanin. Taulant Balla sapo recitoi vargjet e Kuranit. Çfarë tregon kjo për socialistët që i janë rikthyer Allahut dhe janë penduar ndoshta për ato që kanë bërë?
Sali Berisha: Në qoftë se, është e vërtetë që i është rikthyer agjërimit, edhe për atë them Zoti ja pranoftë, por i them gjithashtu se të gjitha vjedhjet e tij t’ua kthejë të varfërve, t’i dorëzojë, ti japë atyre që ia ka marrë në mënyrë që të pastrojë shpirtin por e agjërimin, sepse edhe në doktrinën e Islamit edhe një moment po të kujtohesh e t’i lutesh Zotit të të pranojë ai, është mëshirëplotë dhe të pranon.
Pyetje: Kur mblidhet kryesia e PD dhe, sipas informacioneve tona ka nisur edhe konsultimet edhe me drejtuesit politikë për listat. A është e vërtetë?
Sali Berisha: Do nisim konsultimet me drejtuesit politikë për listat. Drejtuesit politikë kanë patur, janë ata që kanë drejtuar procesin në të gjitha qarqet. Do nisim konsultimet dhe pas konsultimeve me drejtuesit politikë do mblidhet kryesia, do hartojë listën. Ju e dini që tani ka qenë procesi më transparent i bërë në historinë e këtij vendi. Ajo listë do të pasqyrojë padiskutim vullnetin e anëtarësisë së PD, me ndërhyrjet, me modifikimet e domosdoshme për zonjat, për të rinjtë dhe me ndonjë rast me përfaqësimet e komuniteteve. Në qoftë se ka defekte serioze në përfaqësim komunitetesh, do ndërhyhet.
Pyetje: Vetë Sali Berisha, do të preferonit të ishit në listë të mbyllur apo në listë të hapur.
Sali Berisha: Sali Berisha nuk ndjek kurrë Edi Ramën. Është Edi Rama ai që po më ndjek deri sa thyen qafën./ZËRI
Burimi