Beqaj në pranga/ Berisha: Ish-ministri ‘kërcënoi’ Ramën! Janë bashkë në vjedhje
Sali Berisha dhe Ilir Beqaj
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur këtë të enjte në lidhje me arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Gjatë fjalës së tij para mbështetësve, që ishin mbledhur poshtë dritares së banesës së tij, Berisha u shpreh se Beqaj u arrestua se vodhi 125 mijë euro të taksapaguesve europianë dhe nuk u arrestua kurrë pse vodhi 300 milionë euro nga shqiptarët. Ndërkohë nuk munguan askuzat kundër Kryeministrit, Edi Rama, i cili sipas tij, është i përfshiurë në këtë skemë mashtrimi.
Sali Berisha: Sot në një akt ndër më cinikët që mund të ekzistojë, në një akt dëshmie flagrante të kontrollit të plotë dhe total të Skrapit të partisë nga Edi Rama, në një akt të verbër dhe poshtërimi për shqiptarët, Damani i partisë, Zamani i partisë lëshoi urdhër-arresti për Ilir Beqën sepse ai ka vjedhur dhe shpërdoruar, ka blerë makinë, ka paguar dreka dhe darka te restoranti i vet me fondet e BE, në total 125 mijë euro. Me këtë rast, ne duhet të falenderojmë BE-në për qëndrimin që mban ndaj hajdutëve të parave të tij. Por miqtë e mi, Ilir Beqaj arrestohet dhe është në qeli sonte pse ka vjedhur 125 mijë euro të taksapaguesve europianë dhe nuk u arrestua kurrë pse ka vjedhur, ka shpërdoruar me Edi Ramën dhe bandat e tij, me korbën e korrupsionit, 300 milionë euro në 3 koncesionet e shëndetësisë që ka firmosur me dorën e tij të zezë. Miqtë e mi, aferë kriminale e paimagjinueshme është check-upi. Komisioni i KLSH ka gjetur se Vilma Nushi, e cila meriton çdo epitet, por unë nuk po e prish gojën, është paguar në 2 vjet, nga Beqaj dhe Korba e Kovidit për 455 mijë analiza të pakryera kurrë. A ka krim më të shëmtuar se ky? Në një kohë kur qytetarët e varfër mbeten viktimë e pamundësisë për të bërë një analizë. Shesin ç’kanë dhe nuk janë për të paguar analizat që u duhen për diagnozë. Kurse Beqaj i Ramës dhe Korba e Kovidit i paguanin Vilmës 455 mijë analiza të pabëra kurrë. Miqtë e mi, një debat të zhvilluar midis Edi Ramës dhe Ilir Beqës, në të cilën Edi Rama gati sa nuk po i thoshte se ti Ilir ke ngrënë dardha, nuk ia dha dot, se Iliri e kuptoi dhe i tha: Atë Vilmën ma ke sjellë ti, unë nuk e kam njohur kurrë. Kjo është e vërteta. Po kaq janë vjedhjet e tmerrshme me analiza. Asnjë i burgosur, asnjë i dënuar. Po kaq janë vjedhjet dhe dënimi me vdekje të të sëmurëve me sëmundje të rënda duke mos u dhënë ilaçet. Duke mos marrë mjekimet që meritonin.Nuk ka drejtësi! Për Dumanin, këtë kriminel në krye të organizatës kriminale nuk është krim të lësh tre vjet 600 gra e vajza pa radioterapi, metodë kryesore e mjekimit të tyre. Nuk është krim të lësh 200 të sëmurë pa voltoterapi. Nuk është terapi të lësh qindra e qindra fëmijë pa mjekimin e tyre. Nuk është krim vepra makabre e ish-kunatës së Edi Ramës, që rifut në qarkullim ilaçet e skaduara duke urdhëruar mashtrimin. Nuk është krim për Dumanin, këtë monstër të drejtësisë. Nuk janë krime këto. Por duhet të mbrojë Edi Ramën dhe vjedhjet e tij.
Akuzat e ngritura ndaj tij janë disa, një ndër to është abuzimi me fondet e Bashkimit Europian. Por Beqaj nuk është i vetmi, të cilit i janë tundur prangat. Në total SPAK ka lëshuar 7 masa sigurie, në lidhje me dosjen e abuzimeve me fondet e BE, në kohën kur Beqaj drejtonte SASPAC. Në pranga bashkë me ish-zyrtarin socialist kanë rënë dhe dy njerëz të besuar të tij, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla. Për dy persona të tjerë, Gazmend Haxhia dhe Elton Marini, është dhënë masa e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa për Bledar Leka dhe Bjona Zijaj, është dhënë masa e sigurisë detyrim paraqitje. Beqaj akzuohet se ka abuzuar me fondet e BE gjatë kohës që drejtonte agjencinë SASPAC, ku përmes njerëzve të besuar ku njëri prej tyre është Ermal Kurtulaj, drejtues i projektit Eusair, pranë Agjencisë, ka përfituar shuma të mëdha parash përmes faturave fiktive për shërbime të pakryera të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë. Në dosje evidentohet për konferencën ‘Festa’ mbajtur në datat 03-05 Prill 2023 që ishte kontraktuar shoqëria që administrohet nga i dyshuari Gazment Haxhia, dhe drejtori Administrativ, Alfred Nikolli ishin paguar dy fatura. Fatura e parë, 125.000,00 Euro nga agjencia që drejtonte Ilir Beqaj, dhe fatura e dytë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me vlerë 38.509.550 lekë, (konvertuar në 380 mijë euro). Pra në total, dy faturat kapin gati vlerën 500 mijë euro. Ky është vetëm një episod në njoftimin e plotë të nxjerrë nga SPAK. Gjithsej janë 8 të tilla, por nuk ka një total të parave që kanë përfituar nga fondet e Bashkimit Europian./ZËRI
Burimi