Beleri i bën mbrojtjen vetes në KQZ: Mandati im ka mbaruar, por mos ta bëjnë rrugë…

Beleri i bën mbrojtjen vetes në KQZ: Mandati im ka mbaruar, por mos ta bëjnë rrugë…

Fredi Beleri

TIRANË- Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka mbajtur sot, ndoshta për herë të fundit fjalën si i zgjedhur për kryetar bashkie. Në fjalën e tij, gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Beleri u shpreh se e dinte që nuk kishte më shanse për të drejtuar Bashkinë e Himarës. Por shtoi se kërkon që të bëjë betimin, ashtu siç e thotë ligji, e më pas të shkarkohet. Por po ashtu, kishte edhe një lutje për komisionerin Ilirjan Celibashi. Beleri kërkoi që çështja e tij të dërgohet për gjykim në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të mos bëhet precedent për ngjarje të tilla në të ardhmen. Megjithatë mbetet për t’u parë nëse kërkesa e tij do të merret parasysh nga KQZ. 
“Dua t’ju falenderoj që të dhatë mundësinë që të shprehem dhe unë. Juristët dhe zoti Dule i thanë, duket qartë që nuk ka bazë ligjore. Dikush do të nxjerrë gështenjën nga zjarri me duart e KQZ. Institucioni që ju drejtoni është i vetmi që deri më tani ka ruajtur nderin e këtij shteti. Të gjithë institucionet e tjera janë bërë pjesë e paligjshmërisë, padrejtësive që më janë bërë mua dhe banorëve të Himarës. Siç erdha sot këtu mund të kisha shkuar 2 orë dhe të isha betuar në Himarë. Vullnet politik është. Drejtoria e Burgjeve më dha leje, këtë leje mund ta merrja për të bërë betimin. Ata që vendosën rrëmbimin e Bashkisë së Himarsë, ata që nuk duan himarjotët të shprehen. Unë duhet të betohem dhe të më shkarkojnë. Jam i qartë dhe unë që mandati im si kryebashkiak i Himarës ka mbaruar. Por këta do e bëjnë rrugë. Pse duan t’i bëjnë në gusht zgjedhjet? Kam frikë se gjysma e bashkisë do të jetë në burg. Kanë 2 kryetar të emëruar në mënyrë të paligjshme. Ata kanë një ankth, ankthin e tyre ta kalojnë në mes të rrugës ligjore. Do iu lutesha që t’ja dërgoni çështjen time Kushtetueses që këtë punë ta mbyllim njëherë e mirë. Se këtë punë do ta bëjnë rrugë,”-tha Beleri./ZËRI
Burimi