BE zbardh mashtrimin me fondet e IPARD në Shqipëri: Kontratat ishin false, aplikantët paguan përqindje të lartë që të fitonin
Foto ilustruese
BRUKSEL- Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, e njohur si “OLAF”, ka zbardhur mashtrimin me fondet e programit IPARD në Shqipëri. OLAF është një organ i mandatuar nga Bashkimi Evropian (BE) për mbrojtjen e interesave financiare të vendeve të unionit dhe u vu në lëvizje nga një denoncim i dërguar nga Shqipëria, ku tregohej skema e vjedhjes së fondeve për bujqësinë. Pas marrjes së denoncimit, OLAF nisi hetimet dhe gjeti disa parregullsi tenderash, konflikt interesi dhe përdorimin e dokumentave të falsifikuara.
“Ec.europa.eu” njoftoi zyrtarisht se ka identifikuar keqpërdorimin e 33 milionë eurove, fonde të BE-së në ndihmë të bujqësisë shqiptare dhe rekomandoi bllokimin e paketës së radhës për sa kohë nuk ka masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
OLAF sqaron se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë konsulente të “përzgjedhura paraprakisht”, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet. Pas një sërë hapash komplekse hetimore, përfshirë kërkimet mjeko-ligjore dixhitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve.
Këto parregullsi përfshinin:
-Aplikantëve u kërkohet të paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale;-Kontratat që jepen pa konkurrencë, ose përmes një konkursi të manipuluar (me oferta false që dorëzohen);-Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale.
OLAF rekomandoi më tej që BE të parandalojë 112 milionë euro të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzimet e panevojshme, derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm. Nisur nga aktivitetet e mundshme kriminale të zbuluara gjatë hetimit, OLAF i dërgoi edhe një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë.
Në korrik të 2023, BE vendosi pezullimin e fondeve për shkak të një hetimi për korrupsion nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit OLAF.
“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II,” – deklaroi asakohe zyra e BE.
Programi IPARD ofron dhjetëramilionë euro në ndihmë të bujqësisë në Shqipëri dhe në vendet e tjera anëtare për kandidim. IPARD II, i cili u zbatua mes viteve 2014 dhe 2020, i dha Shqipërisë mbi 71 milionë euro ndërsa programi IPARD III pritej ta rriste ndihmën. Në vitin 2022, 82.6 milionë euro dhe në vitin 2023, 80 milionë euro. Në fondet e IPARD III, ishin programuar të disbursuara në Shqipëri rreth 146 milionë euro për periudhën nga viti 2021 deri në 2027./ZËRI
Burimi