BE vendos taksa/ Nga viti 2025 shqiptarët, britanikët dhe amerikanët do të paguajnë për të hyrë në zonën Schengen
Foto ilustruese
BE- Qytetarët shqiptarë, por jo vetëm edhe britanikët dhe amerikanët që duan të hyjnë në hapësirën Schengen, qoftë edhe për pushime verën e ardhshme, do të duhet të paguajnë një taksë prej 7 eurosh. Kjo për shkak se Sistemi i ri Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (Etias) do të hyjë në fuqi në vitin 2025.
Sipas këtij sistemi, qytetarët e vendeve joanëtare të BE-së, përfshi këtu edhe ata të Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, Australisë dhe Kanadasë, do të duhet të plotësojnë një formular online që kushton 7 euro. Pas plotësimit të formularit turistët do të kenë mundësi të vizitojnë vendet e BE për 3 vite ose deri në skadimin e pasaportës. Pjesë e kësaj skeme nuk bën pjesë Qipro dhe Irlanda, por edhe Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra, të cilat nuk janë pjesë e BE-së, por ato janë në Shengen: pra në total 29 vende.
Siç shpjegon Komisioni në një shënim, Brukseli po zhvillon një sistem të ri të menaxhimit të kufijve dhe hyrjeve që siguron që sistemet kombëtare dhe evropiane të mund të komunikojnë me njëri-tjetrin.
Sistemi i hyrjes/daljes (EES) do të automatizojë kontrollet kufitare dhe do të regjistrojë në mënyrë dixhitale mbajtësit e vizave për qëndrim të shkurtër dhe udhëtarët që nuk kanë nevojë për viza, sa herë që kalojnë kufijtë e jashtëm për një qëndrim të shkurtër (deri në 90 ditë në një total prej 180 ditësh).
Sistemi i ri pritet të miratohet në janar 2025, por do të ketë një “periudhë tranzicioni gjashtëmujore”. Udhëtarët nën moshën 18 vjeç ose mbi 70 vjeç do të përjashtohen nga pagesa e taksës. Sipas faqes së internetit të BE-së, Etias do të ndihmojë shtetet e BE-së të vlerësojnë rreziqet e mundshme që vijnë nga njerëzit që hyjnë në kufijtë e tyre. Ky plan synon të parandalojë “krimin dhe terrorizmin ndërkufitar”. /ZËRI
Burimi