Bashkëmenaxhimi është zgjidhja! KMSH propozon ‘formulën’ për të hapur Xhaminë e Namazgjasë: Të krijojmë fondacion turko-shqiptar!

Bashkëmenaxhimi është zgjidhja! KMSH propozon ‘formulën’ për të hapur Xhaminë e Namazgjasë: Të krijojmë fondacion turko-shqiptar!

Xhamia e Namazgjasë

TIRANË- Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka bërë një përpjekje duke u munduar që të gjejë një formulë për të bërë të mundur hapjen e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë. Përmes një letre angazhimi të publikuar në faqen zyrtare “kmsh.al”, Komuniteti Mysliman Shqiptar ka propozuar që menaxhimi i xhamisë të bëhet nga shqiptarët dhe turqit, por pronësia e objektit të kultit të jetë e KMSH-së. E gjitha ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje në mënyrë që xhamia të hapet dhe të vendoset në dispozicion të besimtarëve. 
Por çfarë propozon konkretisht KMSH?
Komuniteti jep dakordësinë që xhamia e Namazgjasë të administrohet nëpërmjet një fondacioni që do të marrë përsipër menaxhimin dhe përdorimit pa afat të xhamisë si edhe të kompleksit përreth saj, (i përbërë nga parkingu, dyqanet, restorantet, biblioteka, sallat shumë-funksionale, klasat, shatërvanet, abdesthane, kopshtet dhe oborri i xhamisë). Fondacioni do të drejtohet nga Myftiu i Tiranës (Bilal Teqja) dhe do të ketë përfaqësues nga të dyja palët.

“Fondacioni udhëhiqet nga Kryetari i Fondacionit, i cili është Myftiu i Tiranës. Kryetari i Fondacionit ka të drejtën të përfaqësojë Fondacionin përpara të tretëve si dhe të drejtën për të firmosur çdo akt që ka të bëjë me regjistrimin. Detyrat dhe kompetencat e tjera janë parashikuar në statutin e Fondacionit. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë,”-shkruhet ndër të tjera në lestrën e bërë publike, si tentativë për të zgjidhur ngërçin që vazhdon prej vitesh nga pala turke, e cila ka financuar ndërtimin e projektit.
Fondacioni do të drejtohet nga Myftiu i Tiranës dhe do të ketë përfaqësues nga të dyja palët. Siç konstatohet edhe në dokumentin e shpërndarë nga KMSH, Myftiu i Tiranës do të ketë fuqi ekzekutive dhe do të përfaqësojë fondacionin që do të menaxhojë xhaminë në palët e treta.
LETËR ANGAZHIMI
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) është bashkësi fetare, jo politike, i pavarur nga shteti, i cili përbëhet nga të gjithë besimtarët myslimanë me banim në territorin e Republikës së Shqipërisë, që pranojnë parimet themelore të fesë Islame. KMSH vepron si person juridik me anë të organeve të veta të parashikuara në ligj, në aktin e themelimit si edhe në statutin e tij.
Për realizimin e qëllimeve dhe objektivave të tij, KMSH ka të drejtë të ndërtojë xhami, objekte kulti dhe objekte të tjera në funksion të tyre, brenda të cilave kryhen ceremoni e rite fetare. Po ashtu, KMSH ka të drejtën të hapë edhe qendra kulturore për menaxhimin dhe administrimin e duhur të xhamive dhe objekteve të kultit në pronësi të saj. Me përfundimin e ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë dhe kompleksit të saj përreth, objektiv i cili tashmë është realizuar me sukses, KMSH dëshiron që këtë objekt kulti ta çelë dhe vërë në përdorim për besimtarët myslimanë në afatet më të mira.
Duke qenë se Xhamia e Namazgjasë do të jetë xhamia më e madhe e vendit, KMSH, jep dakordësinë dhe miraton që ky objekt kulti të administrohet nëpërmjet një fondacioni i cili do të jetë autoriteti i vetëm në këtë aspekt dhe do të ketë si qëllim të veçantë të tij marrjen përsipër të menaxhimit, administrimit, funksionimit dhe përdorimit pa afat të xhamisë si edhe të kompleksit përreth saj, (i përbërë nga parkingu, dyqanet, restorantet, biblioteka, sallat shumë-funksionale, klasat, shatërvanet, abdesthane, kopshtet dhe oborri i xhamisë).
Fondacioni themelohet si një organizatë jofitimprurëse bazuar në ligjin nr. 8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”, i ndryshuar, si edhe ligjin nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse” dhe merr emrin “Fondacioni i Xhamisë së Namazgjasë”, ai organizohet në përputhje me aktin e themelimit dhe statutin. Fondacioni udhëhiqet nga Kryetari i Fondacionit, i cili është Myftiu i Tiranës. Kryetari i Fondacionit ka të drejtën të përfaqësojë Fondacionin përpara të tretëve si dhe të drejtën për të firmosur çdo akt që ka të bëjë me regjistrimin. Detyrat dhe kompetencat e tjera janë parashikuar në statutin e Fondacionit. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Burimi