Atentati në Don Bosko, targat e mjetit rezultojnë të dubluara, 3 autorët ishin të maskuar

Atentati në Don Bosko, targat e mjetit rezultojnë të dubluara, 3 autorët ishin të maskuar

Dy te plagosurit ne ambientet e spitalit

TIRANË- Dy persona mbetën të plagosur mesditën e të martës (3 shtator) në Tiranë, në zonën e Don Boskos, në një atentat që duket se kishte për objektiv shtetasin Kastriot Elezaj, me precedentë të mëparshëm penalë. Bashkë me të mbeti i plagosur dhe shtetasi Renaldo Metushi, i cili ka marrë një plumb në këmbë. Deri tani policia nuk ka arritur që të bjerë në gjurmët e autorëve, ndërkohë që makina që ata përdorën u gjet e djegur në zonën e Kamzës, dhe brenda saj u shkrumbua dhe arma që u përdor në plagosje, e cila ishte me silensiator.
Targat e mjetit, që arritën të identifikoheshin nga kamerat e sigurisë, dyshohet se kanë qenë të dubluara, çka vështirëson edhe identifikimin e pronarit të mjetit që u përdor nga autorët. Referuar dëshmive që grupi hetimor ka mundur që të mbledhë në vendin e ngjarjes, në makinë kanë qenë tre persona. Vetëm një prej tyre ka zbritur dhe ka qëlluar në drejtim të shënjestrës, i cili ishte i ulur në verandën e një lokali, që gjendet pranë zyrës së OSHEE-së në Don Bosko, një zonë mjaft e populluar, për më tepër në atë orar që ndodhi plagosja e dyfishtë.
Elezaj ka marrë dy plumba një në shpatull dhe një në gjoks, çka tregon se pikërisht ai ka qenë shënjestra, dhe autorët kanë tentuar eleminimin e tij fizik, dhe jo thjesht frikësimin. Pas ngjarjes, mjeti ka marrë rrugën në drejtim të Institutit, ka kaluar në Kamzë dhe në zonën e Qerekës, u gjet më pas i djegur. Sipas drejtorit të Policisë së Tiranës, autorët kanë qenë të maskuar në momentin kur kanë kryer krimin, gjë e cila vështirëson identifikimin e tyre. Në vendin e ngjarjes policia gjeti 7 gëzhoja, ndërkohë që fatmirësisht të dy personat e plagosur aktualisht ndodhen jashtë rrezikur për jetën.
Duke qenë se policia nuk ka mundur të sigurojë asnjë gjurmë të atentatorëve që qëlluan mbi dy personat në Don Bosko, hetimet kanë nisur nga aktivitetet e dy të shënjestruarve. Duke qenë se Rënaldo Metushi është vetëm 22 vjeç dhe i paskeduar më herët nga policia, fokusi është përqendruar tek aktiviteti kriminal i Kastriot Elezajt.
Ky i fundit ka qenë i skeduar në Itali për trafik droge, por edhe qeniesh njerëzore, ndërkohë që dyshohet si i përfshirë në një rrjet prostitucioni, ku shfrytëzoheshin vajzat e reja.
Drejtimi i autorëve për në Fushë Krujë, shtyn policinë drejt pistës që autorët që kanë marre pjesë në atentat, të kenë vepurar kundrejt pagesës, ndërsa grupi hetimor shpreson që shpejt të mund të marri edhe një dëshmi të atij që konsiderohet edhe shënjestra e sulmit të djeshëm, Kastriot Elezajt./ZËRI 
Burimi