Atentati ndaj Trump/ Berisha dhe Meta: Akt kriminal! U qëllua për shkak të ideve dhe vizionit të tij
Donald Trump
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kanë reaguar pas atentatit ndaj ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Përmes rrjeteve sociale, Meta shkruan se Trump u qëllua plumb për shkak të ideve dhe vizionit të tij për të bërë Amerikën sërish të Madhe. Ndërkohë kryedemokrati, Berisha shkruan se dënon sulmin dhe lutet për shërimin e shpejtë të Trump.
Ilir Meta: Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmin me armë ndaj Presidentit Trump, i cili për fat të mirë i shpëtoi atentatit në Pensilvani, që fatkeqësisht shkaktoi dhe viktima të pafajshme. U bashkohem lutjeve për familjet që humbën të dashurit dhe për shërimin sa më të shpejtë të Presidentit Trump, i cili mori një plumb për shkak të ideve dhe vizionit të tij për të bërë Amerikën sërish të Madhe. Solidaritetin e plotë me Presidentin Trump, të cilit i uroj sa më parë të rikthehet edhe më i fortë në betejën e tij të pandalshme për mbrojtjen e vlerave të SHBA dhe kombit mik amerikan.
Sali Berisha: Atentat kundër Presidentit Donald Trump. Të dashur miq, një dorë kriminale shkrepi mbrëmë një seri të shtënash në një atentat me qëllim vrasjen e Presidentit Donald Trump. Ky akt i shëmtuar kriminal, ndodhi gjatë fjalës të Presidentit Trump në një takim elektoral ne Butler Pensilvania. Nga të shtenat Presidenti Trump u plagos, por është jashtë rreziku për jetën dhe një pjesmarrës në miting u vra dhe dy të tjerë janë të plagosur rëndë. Atentator i identifikuar si Thomas Mattheu Crooks, 20 vjeç u asgjesua nga shërbimi sekret. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të urryer kriminal ndaj Presidentit Donald Trump si një akt me të cilin kërkohet që me atentat, vrasje politike në fushatë elektorale të përcaktojnë e të mposhtin vullnetin e lirë të qytetarëve të SHBA. Me këtë rast i shpreh Presidentit Trump dhe familjes së tij dhe Partisë Republikane, solidaritetin tim më të plotë dhe të Partisë Demokratike të Shqiperisë dhe lutem për shërim të shpejt dhe të plotë të tij. Uroj që kushdo që mund të jetë i implikuar në akt të urryer terrorist të gjendet dhe marrë ndeshkimin më të rreptë ligjor./ZËRI
Burimi