Apeli i GJKKO vendosi 2 vite burg/ Beleri në qeli deri në tetor: Do ta çojë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë

Apeli i GJKKO vendosi 2 vite burg/ Beleri në qeli deri në tetor: Do ta çojë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë

Fredi Beleri

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Përfundimisht, Beleri do të duhet të vuajë 2 vite heqje lirie, edhe pse aktualisht është zgjedhur edhe si eurodeputet në Parlamentin Europian nën logon e partisë “Neodemokracia”, e drejtuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Beleri do të qëndrojë në qeli deri në tetor. Në seancën e sotme, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, kërkoi pafajësi dhe lirimin e tij nga burgu, por kërkesa e tij nuk u mor parasysh. 
Në një interviste për “CNN Greece”, Beleri ka paralajmëruar se çështjen do ta çojë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë dhe se nga tani e tutje problemin do ta ketë kryeministri Edi Rama. Beleri shton se kryeministri i Shqipërisë ka vepruar si një puçist i zakonshëm, duke shtuar se ai ka duruar shumë padrejtësi dhe do të durojë edhe për disa javë të tjera nëse do të jetë e nevojshme.
“Në çdo vend europian dhe në çdo sistem gjyqësor që funksiononte sipas rregullave të shtetit të së drejtës, lirimi im do të ishte një rrugë njëkahëshe pavarësisht zgjedhjes sime apo jo. Rama do ta ketë problemin tani e tutje. Rama veproi si një puçist i zakonshëm. Kam duruar kaq shumë muaj pavarësisht padrejtësisë dhe grushtit të shtetit kundër meje. Do të duroj edhe disa javë nëse është e nevojshme”, vëren eurodeputeti i zgjedhur nga PD, duke theksuar se ka paralajmëruar se do të ankohet në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë për çështjen e tij “dhe pastaj disa nuk do të dinë ku të fshihen. Një perspektivë evropiane duke anashkaluar shtetin e së drejtës siç ka ndodhur në rastin tim nuk ekziston,”- u shpreh Beleri.
I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar që më datë 12 maj 2023. Ai akuzohej për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës. Ai u prangos 48 orë para zgjedhjeve lokale të 14 majit./ZËRI
Burimi