Akuzohet për shpërdorim detyre, SPAK mbyll hetimet për kryebashkiakun e Tropojës
Rexhë Byberi
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryebashkiakun e Tropojës, Rexhë Byberi dhe nën kryetarin Abedin Kërnaja. Byberi akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim. Sipas “Top Channel” kryebashkiaku i Tropojës do të njihet me akuzat ndaj tij më datë 13 dhjetor.
Sipas SPAK, dyshohet se paligjshmëritë për të cilat akuzohen kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi dhe zëvendësi i tij, kanë të bëjnë me hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga këshilli bashkiak.
Konkretisht, janë evidentuar punime në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore për rrugët “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules” dhe “Qafë Murrizi –Qafë Agri”. Një njoftimin e Prokurorisë së Posaçme thuhej se për nisjen dhe kryerjen e punimeve, në këto dy akse rrugore, duhej të aplikohej në sistemin elektronik ‘e-leje’, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi, për këto lloj punimesh. Po ashtu, sipas SPAK, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës, konkretisht me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, të bashkëvepronte me ministrinë e linjës për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit. /ZËRI
Burimi