Akuzat për ngacmime në punë, reagon Blerta Tafani: Letra nuk mban firmën time

Akuzat për ngacmime në punë, reagon Blerta Tafani: Letra nuk mban firmën time

Alfred Peza dhe Blerta Tafani

TIRANË- Gazetarja Blerta Tafani ka reaguar për letrën që pretendohet se i është dërguar bordit të Radio Televizionit Shqiptar, ku ajo akuzon ish-drejtorin e RTSH, Alfred Peza se kishte treguar sjellje të papërshtatshme ndaj saj, duke e ngacmuar seksualisht. Madje ndër të tjera shkruhej se në shumë raste kishte përdorur edhe presion psikologjik dhe sulme verbale gjatë kohës që punonin në të një njëjtin institucion. Gazetarja tha për NeWsbomb.al se letra, e cila mbante datën e 3 ditëve më parë, nuk ishte shkruar prej saj.
“Unë mohoj të flas për një letër që po qarkullon ngado, por nuk mban firmën time. Pra, besoj vetëkuptohet që unë nuk kam çfarë të komentoj”, tha Tafani.  
Gazetarja gjithashtu shtoi se letra që është publikuar nuk mban firmën e saj, dhe se ajo nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ligjor ndaj Pezës.
“Letra që ju thoni, nuk mban firmën time! Po, mohoj që të jetë bërë ndonjë kallëzim nga ana ime në Prokurori”, përfundoi ajo.

Për më shumë detaje, ZËRI ka tentuar edhe vetë që të kontaktojë si me Tafanin, ashtu edhe me Pezën. Si me telefonata, ashtu edhe me mesazhe, por deri më tani asnjë prej tyre nuk i është përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga redaksia për të sqaruar këtë situatë të paqartë. Deri më tani, kemi vetëm një letër, e cila mohohet të jetë shkruar nga ajo që pretendohet se është autorja, por që nuk dihet se kush e ka shkruar dhe më pas, kush e ka publikuar në media.
Ka diçka të vërtetë dhe moderatorja ka vendosur që të bëjë hapa pas, apo është një tentativë për të hedhur akuza (që janë të rënda) ndaj Pezës. Si qëndron e vërteta? Ndërkohë, kur një çështje kaq serioze është kthyer në çështje dite pasi bëhet fjalë për një institucion publik siç është RTSH, asnjë nga dy “protagonistët” nuk del me një sqarim të nevojshëm për publikun. Megjithatë, ZËRI ka kontaktuar me ta, mbetemi në pritje të një përgjigje… /ZËRI
Burimi