Akuza për ngacmime në punë dhe një letër që mbeti jetime! Ç’ka ndodhur brenda RTSH? Misteri i largimit të Alfred Pezës

Akuza për ngacmime në punë dhe një letër që mbeti jetime! Ç’ka ndodhur brenda RTSH? Misteri i largimit të Alfred Pezës

Blerta Tafani dhe Alfred Peza

TIRANË- Sot mëngjesi nisi me lajmin e dorëheqjes së Alfred Pezës nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të RadioTelevizionit Shqiptar. Lajmi, kësaj here, ndryshe nga hera e parë u shoqërua me një dokument zyrtar që provonte se Peza e kishte vendosur largimin e tij nga posti. Kështu nuk kishte më vend për aludime, vendimi ishte final dhe i parevokueshëm. Burime bënë me dije për ZËRI-n dorëheqja e Pezës lidhet me një rol të ri drejtues që ai pritet të marrë në Top Channel.
Por përveç reagimeve të të shkarkuarve nga puna nga ana e Pezës, një tjetër shkaktoi bujë në media. Një letër e gazetares dhe moderatores Blerta Tafani u publikua në media. Shkresa, drejtuar Këshillit Drejtues të RTSH-së përshkruante ambientin e punës me të cilin ishte përballur Tafani përgjatë 1 viti që Peza ishte në krye të institucionit. Sipas saj, eprori i saj kishte treguar sjellje të papërshtatshme ndaj saj, duke e ngacmuar seksualisht. Madje ndër të tjera shkruhej se në shumë raste kishte përdorur edhe presion psikologjik dhe sulme verbale gjatë kohës që punonin në të një njëjtin institucion.
Por kjo letër, e cila mban emrin e saj është mohuar nga vetë Tafani. Gazetarja dhe moderatorja e njohur e transmetuesit publik shqiptar, Blerta Tafani ka reaguar për Neësbomb.al dhe la të kuptohej se letra, e cila mbante datën  e 3 ditëve më parë , nuk ishte shkruar prej saj.
“Unë mohoj të flas për një letër që po qarkullon ngado, por nuk mban firmën time. Pra, besoj vetëkuptohet që unë nuk kam çfarë të komentoj. Mohoj që të jetë bërë ndonjë kallëzim nga ana ime në Prokurori,”- u shpreh ajo.
Për më shumë detaje, ZËRI ka tentuar edhe vetë që të kontaktojë si me Tafanin, ashtu edhe me Pezën. Si me telefonata, ashtu edhe me mesazhe, por deri më tani asnjë prej tyre nuk i është përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga redaksia për të sqaruar këtë situatë të paqartë. Deri më tani, kemi vetëm një letër, e cila mohohet të jetë shkruar nga ajo që pretendohet se është autorja, por që nuk dihet se kush e ka shkruar dhe më pas, kush e ka publikuar në media.
Ka diçka të vërtetë dhe moderatorja ka vendosur që të bëjë hapa pas, apo është një tentativë për të hedhur akuza (që janë të rënda) ndaj Pezës. Si qëndron e vërteta? Ndërkohë, kur një çështje kaq serioze është kthyer në çështje dite pasi bëhet fjalë për një institucion publik siç është RTSH, asnjë nga dy “protagonistët” nuk del me një sqarim të nevojshëm për publikun. Megjithatë, ZËRI ka kontaktuar me ta, mbetemi në pritje të një përgjigje…/ZËRI
 
Burimi