Aksidenti i makinës së ushtrisë, 5 efektivët në gjendje stabël, infermierja dërgohet me urgjencë te Trauma
Mjeti i aksidentuar
LEZHË- Një aksident i rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, ku një automjet i ushtrisë u përplas me një autobot. Si pasojë mbetën të plagosur 6 pasagjerët që ishin duke udhëtuar me mjetin e repartit të ushtrisë në Vaun e Dejës, 5 ushtarë si dhe një infermiere.
Të plagosur mbetën 5 prej ushtarëve Gjon Huba, Ermal Qerri, Jodise Bushati, Denis Ledi, Denis Kola dhe infermierja Rushe Deda. Mësohet se gjendja e efektivëve të Forcave të Armatosura është e stabilizuar, ndërkohë që infermierja është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë pasi gjendja e saj shëndetësore është e rëndë.
Automjeti i Repartit Ushtarak ishte nisur në drejtim të Mirditës, për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve, mirëpo fatkeqësisht u përfshi në aksident. Shkak dyshohet defekti që pësoi goma e automjetit të ushtrisë, ku është çarë dhe për pasojë ka humbur kontrollin, duke u përplasur me autobotin.
“Rreth orës 05:30, në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Dajçit”, automjeti i Repartit Ushtarak Vau i Dejës, me drejtues shtetasin B. N., është përplasur me automjetin autobot, me drejtues shtetasin N. P.
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar shtetasit Gj. H., 33 vjeç, R. D., 57 vjeçe, E. Q., 23 vjeç, J. B., 28 vjeç, D. L., 29 vjeç dhe D. K., 27 vjeç, banues në Shkodër (ushtarakë), pasagjerë në automjetin që drejtonte shtetas B. N., të cilët janë dërguar në spital, për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Automjeti i Repartit Ushtarak ishte nisur në drejtim të Mirditës, për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, njoftoi Policia më herët./ZËRI
Burimi