Administratori i Kurum i drejtoi fushatën? Bardhi: Asnjë lidhje me Metalurgjikun, pra fajin e kanë punëtorët, jo pronarët?

Administratori i Kurum i drejtoi fushatën? Bardhi: Asnjë lidhje me Metalurgjikun, pra fajin e kanë punëtorët, jo pronarët?

Gazment Bardhi dhe Belinda Balluku

TIRANË- Transportimi i mbetjeve të rrezikshme, dhe mbyllja e prodhimit nga kompania turke ‘Kurum’ që operon në Elbasan, është kthyer në një mollë sherri dhe për partitë politike në Shqipëri, ndërsa opozita akuzon qeverinë se është e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të mbetjeve. Në një dalje për mediat, dje pas mbledhjes së qeverisë, zv.kryeministrja Belinda Balluku tha se përgjegjësia për transportimin e mbetjeve është e koncensionarit që vepron në portin  e Durrësit, dhe se vetë ky institucion nuk ka asnjë përgjegjësi në lidhje me dërgesat.
Kaq mjaftoi që opozita të shtonte akuzat, ndërkohë që në mbrëmje, disa media folën për një lidhje interesash të përfaqësuesve të PD-së me njërin prej administratorëvë të kompanive të afërta me Kurum. Bëhej fjalë pikërisht për shtetasin Lorenc Hastopalli, i cili është administrator i kompanisë “Energy Resources” ose ish “Kurum Energy”, me aktivitet prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike.
Sipas dokumenteve, Hastopalli ka qenë drejtues i shtabit elektoral të PD-së në Elbasan, kur drejtues politik në këtë qark në zgjedhjet e vitit 2021 ka qenë kreu aktual i grupit parlamentar Gazment Bardhi. Duke iu referuar shkrimit në fjalë, i cili u publikua fillimisht nga Top Channel, kjo justifikonte heshtjen e deritanishme të opozitës për kompaninë Kurum, dhe kanalizimin e akuzave në drejtim të qeverisë apo ministrive të linjës.
“Në vitin 2021, pesë ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, Hastopalli si drejtori i fushatës elektorale të Gazment Bardhit, iu drejtua me një mesazh qytetarëve të Elbasanit, ku i ftonte të votonin masivisht për PD.
“Ne do ti fitojmë zgjedhjet në Elbasan. Garancia jonë është rinia e Elbasanit, janë burrat dhe gratë, janë familjarët, janë fermerët, që do të votojë masivisht për numrin në fletën e votimit. Shumica do të votojë për ndryshimin. Elbasani do t’u kthehet qytetarëve, të rinjve, studentëve. Do t’u kthehet elbasanllinjve si qytet i dijes, i kulturës, i vlerave, i harmonisë!”, deklaronte Hastopalli.
Në 2013 qeveria e Sali Berishës mori vendim për shitjen e katër hidrocentraleve kompanisë “Kurum International” edhe pse kjo ishte kundërshtuar fuqimisht nga ekspertët në atë kohë. Sapo Kurum nisi aktivitetin me tregtimin e energjisë, si administrator u shtua Hastopalli, sot është krahu i djathtë i Gazment Bardhit.
Ky nuk është rasti i parë kur opozita kur është vetë e përfshirë në afera apo skandale, ka zgjedhur të heshttë dhe jo të dalë në mbrojtje të interesit publik”, thuhej mes të tjerave në shkrim.
Pas këtyre lajmeve nuk ka vonuar as reagimi i Gazment Bardhit, i cili pranon mes të tjerave që Hastopalli ka qenë pjesë e shtabit të PD-së, ndërsa shton se skandali i mbetjeve është denoncuar çdo ditë nga opozita, që prej ditës së parë kur u mësua mbi transportin e kontejnerëve drejt Tajlandës. Bardhi shkruan më tej se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të perdorë të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e plotë të kësaj çështje, duke nisur me fillimin e sesionin parlamentar me kërkesën për interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, për të bërë transparencë mbi veprimet dhe mosveprimet e të gjitha institucioneve shtetërore qeveritare për rastin, si dhe zbardhjen e plotë të kësaj çështje
““Kompania “Kurum International” dyshohet se ka shkelur ligjin për mënyrën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që prodhon.  Autoritetet përgjegjëse dyshohen se kanë shkelur ligjin duke mosvepruar dhe duke lejuar eksportin e tyre jashtë territorit në shkelje të konventave ndërkombëtare.
Qeveria dhe autoritetet përgjegjëse heshtin prej 3 javësh dhe nuk veprojnë duke mos bërë asnjë transparencë mbi këtë cështje, ndërkohë që skandali ka marrë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare.
Drejtuesi i Rrjetit të Aksionit të Bazelit, një organizatë ndërkombëtare prestigjoze, konfirmon për Zërin e Amerikës se “eksportimi i shpeshtë i këtij materiali nga Durrësi ngre dyshime që ai nuk vjen vetëm nga fabrika e Kurumit, pasi kjo fabrikë nuk është aq e madhe sa të prodhojë sasi kaq të mëdha të pluhurit EAF”.
Por për Balluk-mediat, që nuk u intereson e vërteta, por manipulimi me propagandë i të vërtetës, fajin e ka opozita se ajo nuk ka vepruar, meqënëse një punonjës i një prej kompanive të rrjetit të shumtë të kompanive që ka Kurum në Shqipëri (pa asnjë lidhje me ish-Metalurgjikun ku prodhohen mbetje të tilla) ka qenë i angazhuar në Shtabin e fushatës së PD në Elbasan.
Pra për Balluk-mediat fajin nuk e kanë pronarët e komapanisë Kurum International që marrin përfitimet dhe mbrohen nga Qeveria, as institucionet përgjegjëse qeveritare që nuk veprojnë dhe lejojnë symbyllazi paligjshmërinë, por qindra e mijëra punonjës të kompanisë Kurum në gjithë Shqipërinë (kryesisht nga zona ime elektorale, Elbasani) që kanë vendosur të jetojnë me punë të ndershme në një kompani që ushtron aktivitet të licencuar nga shteti shqiptar.
E vërteta është krejt e kundërta e kësaj që pasqyrojnë Balluk-mediat. Ka qenë opozita dhe vetëm opozita, përfshirë edhe mediat e pa kontrolluara nga “torta Belinda” dhe mafia e mbetjeve të rrezikshme që kontrollon Portin e Durrësit, që kanë kërkuar dhe kanë bërë transparencë për transportimin e paligjshëm të mbetjeve helmuese.
I mbetem besnik reagimit tim publik të datës 21 Gusht 2024, që nëse kompania “Kurum International” ka gënjyer për të mbuluar shkeljen e ligjit prej saj, kjo duhet të shoqërohet menjëherë me masa të forta ndëshkimi nga institucionet përgjegjëse.
Sikurse i mbetem besnik qëndrimit tim publik të datës 28 Gusht 2024 që afera e trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme toksike nuk mund të realizohet kurrë pa mbështetjen, mosveprimin apo symbylljen e autoriteteve shtetërore, si dhe që përgjegjësia, mosveprimi apo shkelja e ligjit nga kompani private të licencuara nga Qeveria nënkupton mosveprim dhe mungesë mbikëqyrje nga autoritetet shtetërore që kanë lejuar abuzimin e privatit.
I kuptoj Balluk-mediat kombëtare që nuk kanë dijeni për reagimet dhe qëndrimet e opozitës, dhe bëjnë lajme të rreme për heshtje të opozitës, sepse prej kohësh për interesa kriminale të lidhura me Qeverinë dhe aferat e saj, kanë vendosur të mos pasqyrojnë qëndrimet dhe reagimet e përfaqësuesve të opozitës, edhe pse janë transmetues mediatik me licencë kombëtare dhe rrjedhimisht shfrytëzojnë të drejta që konsiderohen pasuri publike.
I ripërsëris se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të perdorë të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e plotë të kësaj çështje, duke nisur me fillimin e sesionin parlamentar me kërkesën për interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, për të bërë transparencë mbi veprimet dhe mosveprimet e të gjitha institucioneve shtetërore qeveritare për rastin, si dhe zbardhjen e plotë të kësaj çështje”, shpreet Bardhi në postimin e tij.

Kompania Kurum pak ditë më parë mbylli fabrikën e saj në Elbasan, me pretendimin se kishte vështirësi financiare, duke lënë në rrugë 500 punonjës. Para se ky vendim të njoftohej publikisht, kompania u lakua për skandalin me mbetjet toksike që u zbuluan në Tajlandë, ku autoritetet vendase kanë vendosur kthimin e tyre mbrapsht për në portin e Durrësit./ZËRI 
Burimi