A ka lënë amanet Ismail Kadare? Përgjigjet miku i shkrimtarit

A ka lënë amanet Ismail Kadare? Përgjigjet miku i shkrimtarit

Sadik Bejko

TIRANË- Poeti shqiptar Sadik Bejko kujtoi sot mikun e tij, shkrimtarin Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta sot në moshën 88-vjeçare.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Bejko tregoi se kohët e fundit ishte takuar shumë shpesh me Kadarenë, duke zbuluar edhe një detaj lidhur me dëshirën e fundit. I pyetur nëse Ismail Kadare ka lënë ndonjë amanet, Bejko u shpreh se jo, por shtoi se dorëshkrimet e papërfunduara janë të vetmet gjëra që ka lënë pas.
“Në bisedat që kemi bërë bashkë deri ditët e fundit, ka qenë një periudhë e gjatë që e takonim shumë shpesh, nuk di të jetë pasur amanete, ishte njëri që i mbante sekrete personale, familjare. Botuesi i tij ishte më shumë se një djalë, e ka nxjerrë përditë nga shtëpia, i botoi me shkronja të arta gjithë përmbledhjen e vet. Nuk mendoj që ka lënë amanete. Për dorëshkrime? Ai ishte shkrimtar, aty duhet parë arkivi i një shkrimtari. Humbja e tij nuk është personale, është kombëtare. Sytë tanë janë me lot, zemrat tona qajnë, por ajo është një humbje që do ta ndiejmë edhe më shumë me kalimin e kohës,”-tha ai.
Zemra e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare u ndal sot në moshën 88-vjeçare. Shkrimtari i madh është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Aktualisht trupi i Kadares ndodhet në ambientet e një agjencie funerale në kryeqytet, ku edhe po i bëhen përgatitjet e fundit për ceremoninë mortore./ZËRI
Burimi