70 mijë euro financim për Top Channel, Blendi Gonxhja probleme me kujtesën, deklarata për ZËRI: Do rifreskoj…
Blendi Gonxhja
TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor i ka dhuruar televizionit Top Channel 67 mijë euro si ndihmë sociale nga fitimi i vitit 2021. “Donacioni” është bërë pasi statuti e lejonte DPSHTRR që një pjesë të fitimit ta mbante për ta “riinvestuar” brenda strukturave, ndërsa një pjesë tjetër mund ta kanalizonte për ndihma sociale. Kështu, mbështetur në këtë nen të statutit, Këshilli Drejtues i kësaj agjencie në korrik të vitit 2022 ka dhënë 67 mijë euro mbështetje financiare për televizionin Top Channel.
Për të marrë një përgjigje zyrtare, ZËRI ka kontaktuar via “WhatsApp” me ish-drejtorin e DPSHTRR, tashmë ministrin Blendi Gonxhja. Në përgjigjen e tij, Gonxhja është shprehur se nuk është i qartë me memorien për një kalim të tillë, megjithatë premton shumë shpejt një përgjigje zyrtare.
“Do pyes kolegët e DPSHTRR se nuk jam më atje vetë. Unë vetë nuk mbaj mend të kem financuar Top Channel. Por do rifreskoj informacionin,”-tha në përgjigjen e tij për ZËRI-n ministri.
Por ky fakt është shënuar edhe në bilancin e audituar të kësaj agjencie, edhe pse zyrtarisht që mohohet nga DPSHTRR.
“DPSHTRR nuk e ka financuar televizionin Top Channel në asnjë lloj forme, as në formën e ndihmës sociale”, – shprehet agjencia në një prononcim të bërë për “INA Media-n”. Ndërsa ndryshe nga Drejtoria e Transportit, zyra e Marketingut të Top Channel-it nuk iu përgjigj kërkesave për informacion duke zgjedhur heshtjen./ZËRI
Burimi