![](https://lajmidites.com/wp-content/uploads/thumbnails/2025/02/67a6ba23096ed.png-730x440-lajmidites.com.webp)
Tedi Blushi
TIRANË- Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, pas takimit me Partinë Demokratike ka komentuar rreth sondazheve që tregonin më pak mbështjetje për PL në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Blushi i quajti sondazhet qesharake, duke u shprehur se nëse PL nuk do të kishte fuqi elektorale, kreu i saj Ilir Meta nuk do të ishte arrestuar. Më tej, ai u shpreh se objektivi kryesor i opozitës është të rrëzojë “narkoshtetin”.
“Unë nuk kam përmendur asnjë numër mandatesh. Së dyti, çdo forcë që garon në zgjedhje, hyn për të fituar. Është objektiv legjitim. Sa u përket sondazheve, besoj edhe ju keni qeshur me to, sepse po të mos ishte kjo fuqi elektorale e PL dhe Ilir Metës, ai sot nuk do të ishte i arrestuar pa fakte dhe pa prova dhe nuk do të ishte rrëmbyer në mënyrë banditeske.
Objektivi kryesor i PL-së është rrëzimi dhe shembja nga themelet të narkoshtetit.
Zoti Meta edhe nga qelia numër pesë do t’i prijë betejës dhe PL për rrëzimin e narkoregjimit. PL do t’i qëndrojë në bllok rrëzimit të narkoregjimit”, tha Blushi.
Blushi komentoi gjithashtu edhe largimin e dikur numrit të dytë të PL-së Endrit Braimllarit dhe deklaratën e tij për t’u bashkuar me Partinë Socialiste.
“Unë e kam dhënë një përgjigje për të dhe pyetjen duhet t’ia drejtoni sesi një ish-anëtar i joni hyri në SPAK me tersen e PL dhe doli me atë të PS”, u përgjigj ai.
Kreu i Partisë së Lirisë u vu në pranga më 21 tetor teksa po kthehej nga Kosova. Ai kishte planifikuar të mbërrinte në selinë e Partisë së Lirisë ku do të mbante një konferencë me gazetarët, por në hyrje të Tiranës, u ndalua nga efektivët e policisë që i vunë prangat. Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish./ZËRI
Burimi