![500 mijë euro për vrasjen e Klevis Kapllanit! Financuesit vëllezërit Çopja, donin të merrnin hak për Emiljano Ramazanin](https://lajmidites.com/wp-content/uploads/thumbnails/2024/09/500-mije-euro-per-vrasjen-e-klevis-kapllanit-financuesit-vellezerit-copja-donin-te-merrnin-hak-per-emiljano-ramazanin_66d4a8cb355da.jpeg-730x440-lajmidites.com.webp)
500 mijë euro për vrasjen e Klevis Kapllanit! Financuesit vëllezërit Çopja, donin të merrnin hak për Emiljano Ramazanin
Nuredin Dumani, Elio Bitri dhe Klevis Kapllani
TIRANË- 500 mijë euro janë paguar për vrasjen e Kelvis Kapllanit më 15 shtator të vitit 2020. Sipas hetimeve të zhvilluara nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zbuluar se financuesit për këtë ekzekutim janë dy vëllezërit nga Elbasani, Franc Gergely (Çopja) dhe Hajdar Bako (Çopja).
Sipas “OraNews”, porositës i kësaj ngjarjeje është Mikael Qosja (Kamami) pasi besonte se Kelvis Kapllani është autor i vrasjes së mikut të tij Emiljano Ramazani. Këtë informacion ia kishte dhënë Eljo Bitri. Madje me anë të aplikacionit “SKY ECC” ku mbante pseudonimin ‘Miku’, i kishte dërguar edhe një foto të Kapllanit dhe banesën e tij.
Por mesa duket roli i Bitrit nuk mbaron këtu, pasi dyshohet se ka qenë drejtuesi i motorit të përdorur në ngjarje, ndërsa personi me pseudonimin “Qerosi” (Fred Qerosi) e ka dërguar me makinë Eljo Bitrin pranë vendit të ngjarjes dhe e ka pritur në vendin ku kanë hedhur motorin pas vrasjes.
Ndihmës të ekzekutorëve evidentohen shtetasit: Arzen Mama, si person që ka dhënë informacione; Maksim Koçi, si personi i cili ka marrë armët e përdorura në vrasjen e Klevis Kapllanit. Pjesë e vrasjes, sipas SPAK, është bërë edhe Leonardo Ramani, vëllai i të ndjerit Emiljano Ramazani. Bisedat për vrasjen e Klevis Kapllarit në “SKY ECC” ndërmjet Leonardit dhe Mikael Kamamit ndërpriten disa ditë para ngjarjes pasi Leonardo me familjen e tij udhëtojnë për në Dubai dhe qëndrojnë në një nga banesat e Mikael Kamamit.
Sipas Nuredin Dumanit, vrasja është kryer nga njerëzit e Manahasës, pasi njëri prej vëllezërve e ka monitoruar Kapllanin në ambientin e lokalit të Nel Godinit në Sinaballaj.
Vrasja e Klevis Kapllanit në muajin Shtator 2020 në Rrogozhinë, është kryer në momentin teksa 33-vjeçari po fliste në aplikacionin “SKY” me të kërkuarin e asaj kohe, Nuredin Dumani. Pikërisht në momentin kur është vrarë, Kapllani po shkonte deri në shtëpi, pasi Dumani e kishte urdhëruar t’i mbante një makinë në banesë, makinë të cilën po e çonin në Sinaballaj të Rrogozhinës, Enver Diva dhe Besian Xhixha.
Makina do përdorej për të goditur në atentat Dine Çamin dhe Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës.
“…shkova aty dhe e pash nga larg që Klevisi ishte vrarë, nuk doja ta besoja se ishte vrarë, sepse në kokën time mendoja se ai ishte personi i fundit që do ta vrisnin për të më dëmtuar mua, pasi ai nuk ka qenë i implikuar në ngjarjet që ne kemi marrë pjesë, përveç dërgimit të armës te servisi i Manahasëve”./ZËRI
Burimi