
19 demokratë e kanë vendin “e sigurtë”, 13 deputetë në listë të hapur të PD, “sforco” për të ruajtur mandatin
Pamje nga mbledhja
TIRANË- Demokratët kanë zgjedhur që këto zgjedhje t’i japin vende të sigurta kandidatëve të aleatëve për deputetë. Kështu vetëm 13 deputetë të Partisë Demokratike janë në listën e hapur për zgjedhjet e “11 majit”; ndërsa disa emra të tjerë që janë aktualisht në sallë janë vendosur në listën e hapur. Kjo edhe pse kanë qenë ndër më të votuarit gjatë procesit të Primareve, i cili u zhvillua 10 ditë para përpilimit të listës.
Vende të sigurtë kanë deputetët: Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Tomorr Alizoti, Greta Bardeli, Ramadan Likaj, Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti, Bujar Leskaj, Ina Zhupa, Xhelal Mziu, Tritan Shehu, Gazment Bardhi, Luan Baçi, Saimir Korreshi, Bledion Nallbati, Oerd Bylykbashi dhe Flamur Hoxha. Disa prej tyre vendin e kanë të sigurtë për shkak se kanë fituar vota gjatë Primarëve, ndërsa të tjerë sepse janë drejtues politikë të qarqeve të vendit.
Deputetët që rrezikojnë për shkak se janë vendosur në listën e hapur janë: Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Andia Ulliri, Petrit Doda, Edmond Spaho, Andrea Mano, Ludovik Hasani, Kastriot Piroli, Lindita Metaliaj, Kreshnik Çollaku, Isuf Çela, Asllan Dogjani, dhe Qani Xhafaj. Në listat e hapura, kandidatët e listës shumemërore do të renditen në bazë të numrit të votave dhe vetëm në rast barazie tërësore, atëherë do të jetë shorti, i cili vendos kush merr mandatin e deputetit.
Por ka edhe deputetë që kanë vendosur që të mos garojnë më, duke e bërë këtë legjislaturën e fundit në të cilën kanë shërbyer.
Deputetët që refuzuan të kandidojnë ose u tërhoqën nga gara: Helidon Bushati, Ferdinand Xhaferaj (u tërhoqën para Primareve); Kasem Mahmutaj; Eralda Bano; Emilia Koliqi; Lefter Gështenja; Zheni Gjergji; Sorina Koti; ndërsa Oriela Nebiaj dhe Ilda Dhori edhe pse u vendosën në listë të hapur kanë vendosur që të tërhiqen nga gara për arsye të ndryshme. Nebiaj thotë se respekton faktin që nuk u votua në Primarë, ndërsa Dhori thotë se vendosja e saj në listën e hapur nuk respekton përfaqësimin e demokratëve të Divjakës. Ndryshe nga të gjithë ka vepruar Dashnor Sula, i cili pasi nuk pranoi vendin në listën e hapur të Elbasanit do të garojë nën siglën e partisë së Adriatik Lapajt, koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Gara është më e hapur, më 11 maj vendosin qytetarët./ZËRI
Burimi