15 vitet e “Kurum Holding” në Shqipëri/ Skandali i mbetjeve, vdekja e punëtorit dhe qindra të tjerë të flakur në rrugë
“Kurum”
TIRANË- Kompania “Kurum” është vënë në shënjestër të akuzave për eksportimin e dy anijeve me përkatësisht 60 dhe 40 kontejnerë mbetje të rrezikshme, më konkretisht pluhur nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, drejt Tajlandës dhe aktualisht po hetohet nga Prokuroria e Durrësit.
Skandali nisi me flakjen në rrugë të 500 punëtorëve me argumentin se janë rritur kostot e prodhimit. Kështru nga 1 gushti, firma ndaloi prodhimin dhe nga 20 gushti edhe përpunimin.
Çfarë dimë për mbetjet deri tani?
Mbetjet toksike u nisën nga impianti ‘Kurum’ pranë metalurgjikut në Elbasan dhe kaluan nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës. Mbetjet toksike u shitën tek kompania ‘Sokolaj’ dhe më pas, ‘Sokolaj’ ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë. Më 4 korrik 2024, anija e parë mbërriti në Tajlandë, por kompania e transportit Maersk ka thënë se nuk ishte në dijeni se çfarë ngarkese kishin brenda kontenierëve në Durrës. As qeveria tajlandeze nuk ishte informuar për llojin ngarkesën që mbartnin dy anijet. Sapo u njoftuan, autoritetet tajlandeze ndaluan futjen e anijeve.
Kështu që 40 kontenierët që ndodheshin në anijen e parë do të ngarkohen në anijen me emrin MARIA SAVERA që do t’i transportojë drejt Italisë. Më pas një anije tjetër do t’i kthejë në Durrës. Anija e dytë me 60 kontenierë, e quajtur Maersk CANDOR ka rezultuar jashtë radarëve që nga data 9 Gusht dhe pritet të mbërrijë në Singapor në datën 24 Gusht. Në fund të shtatorit, pritet që të dyja anijet të mbërrijnë në Shqipëri. Ky lloj pluhuri kërkon trajtim të kushtueshëm, ndërsa Tajlanda vitet e fundit është parë si një venddepozitimi të ngarkesave të ngjashme nga shumë vende më të zhvilluara.
Por çfarë është Kompania Holding dhe kur erdhi në Shqipëri?
Kürüm International është kompani turke e vendosur në Shqipëri dhe është e specializuar në prodhimin e hekur-çeliqeve. Kürüm International është pjesë e Kürüm Holding në Turqi. Kürüm International vepron në ambientet e privatizuara të Uzinave të Prodhimit të Hekur-Çeliqeve në Elbasan që prej vitit 2009.
Faqja zyrtare e kompanisë mëmë, Kurum Holding nuk është funksionale për momentin dhe për rrjedhojë ZËRI nuk mundi të aksesojë të dhënat që mund të specifikojnëemrin e Presidentit të kësaj kompanie apo të anëtarëve të bordit.
Skandalet e kompanisë Kurum në Shqipëri
Së fundmi Shqipëria ka fituar në arbitrazhin ndërkombëtar përballjen me kompaninë “Kurum”, e cila ka pasur koncesionin e terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit. Kompania kërkonte 100 milionë euro dëmshpërblim, por Gjykata e Arbitrazhit në Uashington ka dhënë vendimin më datë 26 korrik, në favor të qeverisë shqiptare, pas pretendimit të kompanisë turke për dëmin e shkaktuar nga mbyllja e parakohshme e koncesionit që duhet të zgjaste 35 vjet, por që mbeti aktiv vetëm 9 vite.
Tashmë, qeveria tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për transformimin e Portit të Durrësit në port turistik, ndërsa ai tregtar do të zhvendoset në Porto Romano.
Në nëntor të vitit 2023, qyteti i Elbasanit u ndot nga djegia e pikës së skrapit të Kurum në Elbasan dhe ky nuk ka qenë rasti i vetëm.
Shkelja e kushteve në punë, pakujdesia, apo më keq akoma, djegia e qëllimshme e mbetjeve, kanë shkaktuar prej kohësh ndotje masive në Elbasan, duke e shndërruar në një prej qyteteve me ajrin më të papastër, që rrjedhimisht bëhet shkak për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme.
Është fjala për vdekjen e një punëtori brenda kompanisë Kurum, i cili si pasojë e rënies nga vinçi, mori plagë të rënda që i shkaktuan jetën. Gazetari shprehet se në kompaninë Kurum, Policia dhe autoritetet e tjera mund të hyjnë vetëm duke marrë leje te biznesi dhe nuk e ushtrojnë detyrën e tyre lirisht.
Vdekja e punëtorit
Një rast ka qenë më i rëndi. Më 28 nëntor 2018, e njëjta zonë u përfshi nga një zjarr i fuqishëm dhe konkretisht në repartin e petëzimit vdiq një punëtor. Punonjësi i vinçit gjatë kryerjes së detyrës për transportimin e hekurishteve ngavend-depozimi për në repartin e shkrirjes u urdhërua që të ngjitej tek pjesa e vinçit. Dhe sapo e bëri këtë gjë, u rrëzua dhe rrotat e hekurit e shkelën mes përmes në trup duke bërë që të ndërronte jetë në spital.
Ky rast është mbuluar nga pluhuri dhe herë pas herë, denoncimet në rrjetet sociale e risjellin në vëmendje për faktin se si heshtën autoritetet shqiptarë.
Shkurtimet e punonjësve kanë qenë gjithatu një nga temat për të cilat Kurum është lakuar në rrjetet sociale.
Në vitin 2015, kompania turke Kurum shkurtoi 200 vende pune gjë që solli revoltë të sindikatave dhe punëtorëve. Këshilli sindikal i punonjësve të Kurum deklaroi në atë kohë se shkurtimi i 200 punonjësve nga Kurum është një “bombë” sociale për Elbasanin.
Më 1 qershor të vitit 2021 u përsërit e njëjta gjë, pasi u shkurtuan 20 punonjës dhe kolegët e tyre dolën në protestë.
Tashmë prokuroria kërkon nga Kurum çdo shkresë që disponon për shitjen e mbetjeve te “Sokolaj shpk” apo subjekte të tjera, që nga viti 2020 e deri në vitin 2024. Javën e ardhshme pritet që të merren sërish në pyetje administratorët e kompanisë Sokolaj shpk, ata të KURUM dhe autoritetet e Doganave dhe Portit të Durrësit.
Kurum duhet të japë llogari edhe për mbylljen e uzinës së çelikut në Elbasan duke flakur në rrugë 500 punonjës, të cilët janë të pambrojtur përballë turqve. Aktualisht, edhe Inspektoriati i Punës ndodhet pranë Kurum për të parë kontratat e punës me punonjësit që kanë ngelur tashmë në rrugë./ZËRI
Burimi