
12.5% më pak prona të shitura gjatë vitit 2024! Paqartësia për rivlerësimin solli rënie
Tirana
TIRANË- Viti 2024 u shoqërua me një paqartësi në tregun e shit-blerjes së pronave, për shkak të nismës së mazhorancës për të ofruar një tjetër fushatë rivlerësimi. Kjo paqartësi solli dhe një rënie të kontratave të shitjes në masën 12.5%.
Të dhënat zyrtare flasin se në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës u regjistruan 31 mijë shitje pronash, nga 35 mijë që ishte ky numër në 2023. E thënë ndryshe, janë mbi 4500 prona më pak të rishitura në tregun e real- astate. Për agjentët e këtij sektori, shifrat duhet të jenë një mësim për qeverinë që të mos krijojë paqartësi në treg me nismat fiskale.
“Pjesa e rishitjes, pra kontratat e shit-blerjes, pjesa e apartamenteve të cilat tashmë janë me një certifikatë pronësie dhe hidhen në treg kanë pësuar një rënie prej 12.58%. Deri në fund të nëntorit 2024 tregu i shitjes ka patur një ngërç për shkak të lajmeve për fushatën e rivlerësimit, deri në këtë moment rënia ishte në masën 33%. Por me qartësimin e situatës, muaji dhjetor shënoi një rikuperim të tregut. Në vitin që lamw pas në shohim që pjesa e tregut që ka konsumuar më shumë prona në ndërtim e sipër, pra ato që ofron nga ndërtuesi, të reja. Kjo pjesë e tregut ka një rritje prej 20%. Pra ata që nuk kanë mundur të gjejnë në tregun rishitjes i janë drejtuar objekteve të reja”, sqaroi Reinaldo Pipiria nga shoqata e agjentëve të pasurive të patundshme.
Shifrat janë për kontratat me tituj pronësie, ndërkohë nuk ka statistika konkrete lidhur me kontrata e porosisë.
“Kjo sepse është në vullnetin e palëve të shitësit dhe të blerësit, apo ndërtuesit dhe blerësit që të depozitojnë kontratën e porosisë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.”
Sa i përket tatimi fitimit të paguar, rezulton se janë paguar rreth 55 milion euro të mbledhura, një shifër kjo që dominon nga kompanitë e ndërtimit të cilat zënë dhe peshën më të madhe të shitjeve.
Pjesa e individëve nga tregu i shitjes zë vetëm 3% të shitjeve dhe 97% vjen nga shitjen e ndërtuesve, pra nga zhvilluesit e pasurive të patundshme. Pra gjatë 2024 kemi një ribërje të portofolit.
“Për muaj me radhë, një vit më parë mazhoranca mbajti pezull nismën për të ofruar një fushatë rivlerësimi për pronat, me një tatim të reduktuar. Kjo solli një ngërç në treg. Tashmë është zyrtare, fushata e rivlerësimit do të nisë 2026, kohë kur hyjnë në fuqi çmimet e reja të referencës në të gjithë vendin”, tha Pipiria.
Marrë nga VizionPlus
Burimi