Zhurmat po largojnë turistët Gjirokastër! Review negative, hotelet u japin kufje turistëve që të flenë
Në qendrën historike të Gjirokastrës në mbrëmje ka aq shumë vizitorë sa vështirë të gjesh vende për të darkuar.
Rrugët janë të mbushura me karrige e tavolina restorantesh ndërsa baret fillojnë aktivitetin që prej orës 6 pasdite. Pazari është një miks ngjyrash, njerëzish, zhurmash e muzike.
Por përshtypjet e vizitorëve flasin për kaos më shumë se për atmosferë festive dhe argëtuese. Njësitë akomoduese përreth pazarit janë duke u goditur në platformat e rezervimit me review shumë problematike që evidentojnë zhurmat, muzikën që miksohet dhe kaosin e përgjithshëm deri në mesnatë.
Rebecca nga SHBA kaloi natën në një bujtinë në pazar. Ajo çmon pastërtinë dhe mikpritjen por jo parehatinë prej muzikës. Ajo i ka dhënë akomodimit vetën 4 pikë nga 10.
“Dhoma ime ishte direkt mbi një bar që luan muzikë të lartë deri në mesnatë çdo ditë. Ky faktor e bëri qëndrimin tonë të parehatshëm“, tha një turiste.
Anna nga Portugalia që gjithashtu kaloi disa ditë në Gjirokastër thekson se stafi dhe akomodimi ishin miqësorë por sërish tërheq vëmendjen për muzikën. Ajo e ka vlerësuar cilësinë me 4 pikë nga 10.
“Ishte e pamundur të flije deri në orën 1 të mëngjesit prej muzikës së padurueshme që vinte nga baret e që dëgjohej qartë brenda në dhomë. Ndiheshe sikur ishe brenda në disko. Ishte e tmerrshme dhe dritaret me xhama të dyfishtë nuk mund ta pengonin atë”, deklaroi ajo.
John nga Gjermania e ka vlerësuar qëndrimin e tij me 6 pikë nga 10 për të njëjtën arsye.
“Dhoma ishte shumë e mirë por meqenëse është një zonë qëndrore ishte tmerrësisht e zhurmshme dhe gjumi ishte i mundur vetëm pas mesnate edhe atëherë me kufje”.
Një tjetër kliente nga Spanja e ka vlerësuar akomodimin me 7 pikë nga 10 megjithëse parehatia nuk shkaktohej nga hoteli.
“Ne kishim lexuar përshtypjet rreth muzikës nga klientë të tjerë por muzika tek pabi nën hotel i tejkaloi pritshmëritë tona. Deri në 1.30 të mëngjesit as që mund ta mendoje të flije. Por nuk besoj se njerëzit në hotelet e tjera ja kanë dalë të flenë”.
Administratorët e hoteleve flasin për rënie drastike të vlerësimeve për akomodimin në zonën historike dhe kanë kërkuar në një takim që patën mes tyre zgjidhje emergjente për të shpëtuar turizmin.
“Shqetësimi im më i madh është muzika e lartë, është zhurma në rrugë, bërtitjet deri tek boritë e makinave janë zhurmë. Janë shumë shqetësuese. Ne jemi afër qendrës dhe jemi të lumtur për këtë por jemi njerëzit që shqetësohemi më shumë”, deklaroi Qazim Tuqi-administrator hoteli.
“Klientët nuk pëlqejnë ndotjen akustike.Ata pasi kanë ardhur në qytet, kanë ngrënë një drekë, kanë vizituar qendrat muzeale që ka qyteti, pasi hanë edhe darkën duan të flenë dhe nuk mund të flenë dot me një ndotje akustike jashtë normave të lejuara. Ne si biznes dhe si qytetarë nuk kërkojmë asgjë përveç zbatimit të ligjit. Ky shqetësim nuk është i sotëm. Ai është i mbartur. Jemi lodhur duke kërkuar dhe telefonuar. Nuk kemi patur ndonjë zgjidhje”, tha Drago Kalemi-administrator hoteli.
“Bashkë me vëllain tim kam hapur një biznes restorant dhe gjashtë dhoma hoteli. Kam vetëm pesë ditë që e kam hapur restorantin. Zhurma futet brenda ambienteve të mia të restorantit. Klientët janë të shqetësuar unë gjithashtu jam i shqetësuar. Kërkojmë një rrugë të përbashkët që të gjithë të përfitojmë nga turizmi por pa i prishur punë njëri-tjetrit“, u shpreh Dorian Veli-administrator hoteli e restoranti.
“Situata e muzikës në Gjirokastër e sidomos tek vendi ku unë punoj dhe jetoj është tepër tepër alarmante. Unë jam munduar kam investuar duke dubluar dritare, perde të trasha. Investimet janë kolosale e kemi arritur deri atje sa të blejmë kufje për të mbajtur klientët. I presim mirë e bukur dhe në mëngjes jemi të detyruar të rrimë të ngrirë se nuk e dimë çfarë ndodh”, tha Genci Kekezi-administrator hoteli.
Gjirokastra ka njohur dyfishim të numrit të vizitorëve gjatë dy viteve të fundit që u shoqërua me rritje të numrit të shtretërve dhe shtim të shërbimeve. Paralelisht edhe numri i bareve për argëtim dhe jeta e natës është shtuar.
Më shumë se prania e tyre problematika është duke u shkaktuar prej volumit të muzikës përtej normës së lejuar në decibel. Muzika është e lejuar deri në mesnatë dhe më pas ka ndërhyrje të policisë për të pezulluar aktivitetin por zhurmat e çdo natyre përfshi thirrjet e të rinjve mjeteve dhe lëvizja aktive që vijon deri afër mëngjesit e bën zonën historike një hapësirë të zhurmshme për akomodim.
Top Channel
Burimi