“Vodhi 10 çokollata për ditëlindjen e nipit dhe u arrestua”, prokurorja rrëfen rastin e trishtë: Ajo që më dhembi ishte…
Ky episod i podcastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio, projekt i qendrës “Fol” nën mbështetjen e zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në ambasadën Amerikane Tiranë, titullohet i “ Jo vetëm burg”.
Prokurorja Sonila Muhametaj, ishte e ftuara tjetër, e cila rrëfeu qëndrimin e saj mbi marrëveshjen mes të akuzuarit dhe akuzuesit, që në finale merr fuqi vetëm po e pranoi gjykata.
Anila Hoxha: Thënë thjesht për qytetarët, si nis kjo negociata për marrëveshjen e fajësisë para një prokurori? Kur nis kjo marrëveshje? Pra, le të themi që një qytetar ka kryer një aksident me pasojë. Ju e ftoni atë që të pranojë fajësinë apo mblidhni prova, në cfarë faze ndodh kjo?
Sonila Muhametaj: Patjetër,që organi i akuzës, prokuroria është e detyruar të mbledhë prova mbi fajësinë e personit që kryen veprën penale, pra për të provuar individualitetin e autorit të veprës penale. Por, gjykimi mbi marrëveshjen, meqënëse, ju e përmendët dhe kërkoni mbi këtë, lejohet vetëm për ato raste, për ato vepra penale për të cilat nuk parashikohen më shumë, në maksimum se 7 vjet burgim .
Anila Hoxha: Si për shembull?
Sonila Muhametaj: Për shembull aksidenti, i cili mund të jetë paragrafi i parë apo paragrafi i dytë.
Anila Hoxha: Pa pasojë për jetën e personit?
Sonila Muhametaj: Pa pasojë jetën e personit.
Anila Hoxha: Ndërtimet e paligjshme?
Sonila Muhametaj: Patjetër edhe ndërtimet e paligjshme.
Anila Hoxha: Shpërdorim i detyrës?
Sonila Muhametaj: Shpërdorimi i detyrës është 8 vjet kështu që nuk përfshihet.
Anila Hoxha: Nuk përfshihen nga pranimi i fajësisë dhe marrëveshja për fajësinë, zyrtarët?
Sonila Muhametaj: Absolutisht, zyrtarët, funksionarët e lartë.
Anila Hoxha: Falsifikimet e dokumenteve?
Sonila Muhametaj: Varet nga masa e dënimit që parashikohet specifikisht për to. Pra, në varësi të rrezikshmërisë së veprës penale edhe vetë ligjvënësi ka patur parasysh që veprat penale me rrezikshmëri relativisht të lartë, jo shumë të lartë. Pra, kur them relativisht të lartë që parashikojnë masa dënimi maksimumi, thotë ligjvënësi deri në 7 vite burg. Vetëm në këto raste, mund të aplikohet marrëveshja ndërmjet të pandehurit, në prani të detyrueshme të mbrojtësit të tij dhe prokurorit, por ama kjo marrëveshje pavarësisht se përcaktohet me praninë e fajësisë në fazën e hetimeve paraprake dhe me caktimin e dënimit nga vetë prokurori me pëlqimin edhe të pandehurit, duhet të kini parasysh që kërkon patjetër një miratim nga gjykata.
Anila Hoxha: Por, zonja prokurore, a ka një formulë fikse të cilën i akuzuari duhet t’a lexojë dhe për rrjedhim të pranojë fajësinë para jush?
Sonila Muhametaj: Nuk është se ka një formulë, por prokuroria e përgjithshme ka miratuar aktet mbi të cilat duhet të kryhet një marrëveshje, qoftë një urdhër penal apo një gjykim me marrëveshje. Janë akte tipike, format të bazuara në kodin,në rregullat proceduriale të Kodit të Procedurës Penale, të cilët duhet të kihen parasysh nga prokurori gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje.
Anila Hoxha: Unë e mendoj sikur prokurori nga ana e tij thotë “jo, jo, ju duhet të pranoni marrëveshjen e fajësisë dhe do merrni maksimumin” edhe qytetari që thotë “do pranoj fajësinë, por dua të marr minimumin”.
Sonila Muhametaj: Palët bien dakord që me një minimum provash, që duken qartë që autori është ky, por duke patur parasysh, por edhe duke lëshuar pe dhe tek masa e dënimit me pëlqimin dhe marrjen përsipër të fajësisë arrihet dhe jepet një masë dënimi më e ulët, sesa ajo që mund të jepet në një gjykim të zakonshëm të zgjatur në kohë edhe që ishte për ekonomi gjyqësore, qoftë për shtetin, qoftë për palët do kishte humbje. Kështu, që e mira e gjykimit me marrëveshje është që zgjidhja në kohë të shpejtë e cështjeve penale.
Anila Hoxha: Fillimisht, pranimi i fajësisë ndodh para prokurorit dhe më tej certifikohet në gjykatë?
Sonila Muhametaj: Patjetër.
Anila Hoxha: I pranon gjithmonë gjykata situata të tilla apo ngre pikëpyetje dhe kthen pas cështjen për veprime shtesë?
Sonila Muhametaj: Për sa kohë ligji i ka dhënë gjykatës të drejtën e miratimit dhe certifikimit të kësaj marrëveshje dhe përsa kohë i ka dhënë edhe arsyet kur kjo marrëveshje e bërë në fazën e hetimit paraprak nga prokurori me të pandehurin mund të ketë pasoja pavlefshmërie, gjykata ka të drejtën ligjore për ta kthyer këtë marrëveshje dhe për të urdhëruar prokurorin në vazhdimin e hetimeve të plota, të gjithanshme. Pra, nuk është e thënë që automatikisht, kjo marrëveshje e krijuar, e lidhur mes prokurorit dhe të pandehurit të konsiderohet apo të certifikohet.
Anila Hoxha: Pse ndodh kjo? Gjykata është zakonisht kundër masës së dënimit që palët kanë rënë dakord apo…?
Sonila Muhametaj: Mund të jetë edhe kundër masës së dënimit, duke cmuar se kjo masë dënimi nuk është në përputhje me të gjitha rrethanat e kryerjes së krimit me rrezikshmërinë e të pandehurit sepse mund të jetë ndonjë recidivist , mund të jetë një person përsëritës në kryerjen e veprave të ndryshme penale dhe ka një rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ndërkohë,që një vlerësim i tillë, mbase nuk është parë sic duhet nga ana e prokurorit dhe gjykata e shikon ndryshe.
Anila Hoxha: Marrin përsipër të akuzuarit edhe kushtet e natyrës, nuk duhet të shoqërohen me persona të tjerë problematikë, nuk duhet të përsërisin më një krim? Pra, duhet të jenë njerëz që ndjekin vazhdën e ligjit në këtë marrëveshje?
Sonila Muhametaj: Patjetër, në gjykimin e marrëveshjes prokurori është ai që përvecse dënimit kryesor, që tashmë dihet se kush janë “dënimi me burg” ose dhe me “gjobë” vendos edhe dënimet plotësuese dhe të gjitha ato që thatë ju, janë dënime plotësuese që e detyron tashmë të dënuarin apo të pandehurin që përvec dënimit kryesor, të ketë parasysh edhe një nga detyrimet që vendos prokurori, më pas i certifikuar nga gjykata.
Anila Hoxha: Ka ndodhur që ka patur marrëveshje ku i akuzuari ka pranuar të shkojë në burg?
Sonila Muhametaj: Edhe kanë pranuar, por nuk është e thënë gjithmonë në gjykim, me marrëveshje të ketë “dënimin me burgim” apo një burgim me dënim të përshtatshëm, mund të jenë edhe alternativat e dënimit me burgim, të cilat kryesisht të pandehurit i kërkojnë lloje të tilla dënimesh.
Anila Hoxha: Por, duket si një proces i vështirë për t’a bindur qytetarin që të pranojë fajin . Është shumë e vështirë që dikush të pranojë fajin, aq më tepër fajin penal sepse kemi ndjekur dhjetëra procese gjyqësore dhe në pjesën dërrmuese, të gjithë vetëdeklarohen të pafajshëm dhe degdisin fajin , gabimin tjetërkund , vetëm ata jo. Si shprehen ata?
Sonila Muhametaj: Pranon fajin . “E bëra.Jam këtu, ju lutem meqënëse, nuk iu kundërshtoj nuk po sjell asnjë, nuk po e vështirësoj hetimin nga ana juaj. Unë me këto dy prova pranoj fajësinë atëherë, pse jo një masë dënimi më e butë, një masë dënimi më e favorshme duke patur parasysh edhe sjelljen time. Kam qenë i mirë në komunitet, vazhdoj të jem i mirë, po ishte një rast sporadik”- thotë i pandehuri, në fund të ditës.
Anila Hoxha: Gjatë raportimeve në gjyqësor më ka mbetur në mend, një çift bashkëshortësh të cilët kishin vjedhur produkte ushqimore në zonën e Kombinatit, me pretendimin se kishin fëmijë të vegjël. Ishin pa ndihmë sociale edhe gjyqtari penal i Gjykatës së Tiranës urdhëroi lirimin e tyre dhe shpalljen të pafajshëm. Edhe një rast tjetër, të një të riu në zonën e Alliasit, i cili vodhi një ëmbëlsirë në një furrë bukë dhe pronari e kishte parë shpesh që merrte nga sirtarët, produktet e dyqanit. Gjykata në fund vendosi pafajësinë e tij. Ju keni raste të tilla, që thoni provat janë, mund të duken të diskutueshme apo jo.
Sonila Muhametaj: Më kujtohet një rast kur dikush kishte vjedhur 10 çokollata dhe materiali ishte përcjellë në prokurori, madje dhe ishte arrestuar. Në fakt,ajo konsiderohet vjedhje, në kuptimin e plotë të figurës së veprës penale. Megjithatë, që tek masa e sigurimit,unë e pashë të arsyeshme që personi të hetohej në gjendje të lirë, pra nëpërmjet një masë më të butë që është ajo e “detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe jo me “arrest me burg”, për shkak se ishte hera e parë e atij personi.
Ajo që më dhembi realisht ose më bëri përshtypje ishte fakti që tha “unë kisha datëlindjen e nipit dhe nuk kisha se me çfarë të qerasja shokët e vet dhe u detyrova të kryeja këtë veprim”. U detyrova të bëja veprimet , të kryeja të gjithë hetimet, normal siç ishte për të kryer dhe për t’a përcjellë dosjen në gjykatë dhe për të marrë edhe një masë dënimi, kuptohet që ne i dhamë një alternativë.
Anila Hoxha: E përgjithshmja është që ke kryer një krim shkon në burg, kjo ndodh në fakt …
Sonila Muhametaj: Nuk është zgjidhje burgu, gjithmonë.
Anila Hoxha: Por një version tjetër apo një mundësi tjetër është urdhri penal. Çfarë është urdhri penal?
Sonila Muhametaj: Atëherë, urdhri penal jepet zakonisht për veprat penale që janë të parashikuara në një masë dënimi deri në 1 vit burgim dhe patjetër që kuptohet edhe me pranimin e fajësisë. Këto janë dy kushtet kryesore.
Anila Hoxha: Çfarë të ndalon ky urdhër? Çfarë të detyron ky urdhër të bësh?
Sonila Muhametaj: Ai është shumë i shpejtë. Vendoset nga prokurori brenda 3 muajve nga momenti i regjistrimit të emrit të personit si autor i kryerjes, kryesisht të një kundravajtjeje penale.
Anila Hoxha: Urdhri penal ka një detyrim?
Sonila Muhametaj: Ai jepet për kundravajtjet penale. Patjetër që caktohet një masë dënimi dhe i kërkon gjykatës ashtu sikurse gjykimi me marrëveshje miratimin, certifikimin e këtij urdhri penal ,nëse i plotëson të gjitha kushtet ligjore për dhënien e tij.
Anila Hoxha: Që mund të jetë …
Sonila Muhametaj: Nëpërmjet urdhrit penal jepet dënimi me gjobë, por mund të jepen edhe një nga dënimet plotësuese që janë kryesisht zëvendësimi i pasojës së ardhur si rezultat i kryerjes së asaj kundravajtjeje penale.
Anila Hoxha: E pranojnë që të zhdëmtojnë dhe ta korrigjojnë?
Sonila Muhametaj: Sigurisht që po. Ka raste që pranohet .
Top Channel
Burimi