Takimi me Vuçiç, reagon Kurti: Shkelën marrëveshjet, situata eskaloi për faj të Beogradit

Takimi me Vuçiç, reagon Kurti: Shkelën marrëveshjet, situata eskaloi për faj të Beogradit

Pas dhjetë muajsh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç takohen në Bruksel në ndërmjetësim të shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell.

Sipas agjendës së Bashkimit Evropian, palët do të takohen fillimisht ndaras me Borrell dhe ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajcak e pastaj do të mbahet takimi tre palësh.
“Takimet do të bëjnë një pasqyrë të asaj që është arritur në Dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, bën të ditur BE-ja.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë që në Bruksel shkon për të parë se cilat janë idetë për të ecur përpara.
“Për bindjen time të fuqishme Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar me pjesën integrale aneksin e zbatimit nga Ohri të 18 marsit, e bën normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen de facto në qendër”.
Zbatimin e kësaj marrëveshjeje Kurti e cilëson si zgjidhje evropiane të fqinjësisë së mirë, por shton se kjo nuk bëhet me Serbinë e cila e ka shkelur.
“Para se të kemi zbatim të marrëveshje kemi pasur shkelje sistematike të saj që ka kulmuar me letrën e ish-kryeministres Bërnabiq nga 13 dhjetori i vitit të kaluar, ku Serbia u tërhoq nga marrëveshja bazike”.
Mosrespektimi i marrëveshjes, sipas kreut të qeverisë së Kosovës, ka çuar në tensione e eskalime të tilla si rrëmbimi i tre policëve kufitar në qershor e sulmi terrorist i Banjskës ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku në shtator.
“Kemi pasur vazhdimisht tensione nganjëherë edhe eskalime, që të gjitha e kanë adresën sepse përgjegjësinë dhe fajësinë e ka Beogradi zyrtar”.
Takimi i fundit i dialogut në nivel të lartë të negociatorëve mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb u mbajt në shtator, pak ditë pas sulmit terrorist të Banjskës.

Top Channel
Burimi