Siguria në plazhe, bllokohen 27 mjete lundruese në disa qytete
Policia ka kryer aksione kontrolli përgjatë gjithë vijës bregdetare, hapësirave liqenore dhe atyre lumore, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.
Nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka bllokuar 27 mjete lundruese. Mjetet e bllokuara: 18 jet ski, 4 skafë dhe 5 gomone.
12 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë, 11 mjete lundruese janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin dhe 4 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë.
5 prej mjeteve lundruese të bllokuara, janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare, duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili, me masë administrative 100 000 lekë.
Drejtuesit e 22 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili, me masë administrative 10 000 lekë, për mungesë dokumentacioni.
Ndërkohë Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë kësaj jave iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 9 raste duke ndihmuar dhe shpëtuar 11 shtetas që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë.
Top Channel
Burimi