Shtohen rastet me Covid në Kosovë, ndërrojnë jetë dy pacientë!

Shtohen rastet me Covid në Kosovë, ndërrojnë jetë dy pacientë!

Në Klinikën e Infektivës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë të shtruar 10 pacientë të infektuar me COVID-19.

Sipas drejtorit të kësaj klinike, Arben Vishaj dy prej pacientëve janë në oksigjeno-terapi. Ndërkohë, Vishaj ka bërë të ditur që edhe dy pacientë kanë vdekur në klinikën e tyre e që ishin të infektuar me koronavirus.
“Dy ditë më parë në Klinikën Infektive dy pacientë kanë përfunduar me vdekje, njëri në moshën 80-vjeçare, i cili ka qëndruar në Klinikën infektive dy orë, ngase ka pasur sëmundje të tjera të rënda kronike, dhe një pacient tjetër në moshën 67-vjeçare, i cili lëngonte nga sëmundje të tjera të renda kronike, i cili ishte duke u trajtuar më herët në Klinikën Infektive.”

Sipas drejtorit, ata janë duke e monitoruar situatën për te vepruar konform, megjithatë kërkojnë që të mos përhapet panik.
“Për momentin në Klinikën Infektive kemi mjaftueshëm oksigjenoterapi, kemi barna dhe staf mbështetës mjaftueshëm. Mendoj që nuk ka nevojë për panik, ne jemi duke e përcjellë situatën epidemiologjike me vëmendje të shtuar dhe varësisht nga situata do të veprojmë konform situatës”
Situata është e qetë edhe sa i përket viruseve tjera që kanë filluar të përhapen në botë por edhe në rajon. Për virusin MPOX ende nuk është raportuar për ndonjë rast në Kosovë, megjithatë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dhënë këshilla për të gjithë ata që udhëtojnë në vendet ku ky virus është përhapur.
Ndërkohë, javë më parë në Kosovë është regjistruar një rast i vetëm me virusin e Nilit, por që nga atëherë nuk është shënuar asnjë rast tjetër.

Top Channel
Burimi