Shtohen aksidentet rrugore! Bilanci për pesë muajt e parë të vitit 2024: E enjtja dhe e shtuna ditët më problematike
Edhe pse numri i aksidenteve rrugore është rritur në pesë muajt e parë të këtij viti, vdekshmëria ka rënë.
Sipas INSTAT, vdekshmëria në aksidente rrugore është 10.1 për 100 aksidente nga 16.9 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në periudhën janar-maj 2024 ndodhën gjithsej 626 aksidente, me rritje prej gati 47% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Aksidentet rrugore, në 86,5 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, ndërsa të paktën 1 në 3 aksidente është shkaktuar nga të rinjtë e grupmoshës 25 – 34 vjeç. Shifrat tregojnë se rritje si shkaktarë ka edhe sjellja e këmbësorëve. Kjo është dhe arsyeja pse me ndryshimet e Kodit Rrugor, Policia ka ashpërsuar penalitete edhe për këmbësorët kur nuk respektojnë shenjat e qarkullimit rrugor.
Në muajin Maj 2024, statistikat tregojnë se numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditëve të Enjte dhe të Shtunë ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së Dielë.
Në raportimet e saj javore policia e kryeqytetit bëjnë me dije se tejkalimi i shpejtësisë është shkelja kryesore për të cilën penalizohen drejtuesit e mjeteve, ndërsa janë rritur ndjeshëm dhe rastet e përdorimit të telefonit gjatë ecjes.
Me ardhjen e verës Policia Rrugore ka përgatitur edhe një plan masash për menaxhimin e trafikut ndërsa gjithnjë e më shumë turistë vizitojnë vendin dhe akset kryesore janë të ngarkuara.
Top Channel
Burimi