Shkurtime drastike stafit të Zërit të Amerikës! Email-i që u erdhi punonjësve pas urdhrit ekzekutiv të Trump

Shkurtime drastike stafit të Zërit të Amerikës! Email-i që u erdhi punonjësve pas urdhrit ekzekutiv të Trump

Punonjësit e Zërit të Amerikës u vendosën u hoqën nga puna këtë të shtunë dhe fondet për dy shërbime të lajmeve amerikane u shkurtuan, një ditë pasi Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për mediat e financuara nga qeveria dhe gjashtë agjenci të tjera federale.

Punonjës të shumtë në Zërin e Amerikës, një transmetues mediatik ndërkombëtar që operon në më shumë se 40 gjuhë, treguan per Reuters një email, që u kërkonte të mos hynin në ambientet e tyre të punës, ndërkohë që ende nuk dihet për sa punonjës bëhet fjalë.
Agjencia Amerikane për Media Globale gjithashtu ndërpreu fondet për Radion Evropa e Lirë, e cila transmeton në vendet e Evropës Lindore, duke përfshirë Rusinë dhe Ukrainën, si dhe për Radion e Azisë së Lirë, e cila transmeton në Kinë dhe Korenë e Veriut.
Në faqen e saj të internetit, Radio Evropa e Lirë vë në dukje se është shpallur një “organizatë e padëshirueshme” nga qeveria ruse dhe paralajmëron lexuesit në Rusi dhe Ukrainën e pushtuar nga Rusia se ata mund të “përballen me gjoba ose burgim për ndarjen, pëlqimin, komentimin ose ruajtjen e përmbajtjes sonë, ose për kontakt me ne”.
Lëvizja vjen pas nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv të premten nga Trump që udhëzon USAGM dhe gjashtë agjenci të tjera pak të njohura që të reduktojnë operacionet e tyre në minimumin e mandatuar nga ligji, duke thënë se ishte e nevojshme të tkurret burokracia.Trump, i cili u përplas me Zërin e Amerikës gjatë mandatit të tij të parë, zgjodhi ish-spikerin e lajmeve Kari Lake si drejtor të tij për mandatin e tij të dytë. Lake, një aleat i vendosur i presidentit, ka akuzuar shpesh mediat kryesore se ushqejnë paragjykime anti-Trump.
Presidenti i Klubit Kombëtar të Shtypit në Uashington, Mike Balsamo, përmes një deklarate në mediat sociale kundërshtoi lëvizjet në Zërin e Amerikës.
“Për dekada, Zëri i Amerikës ka ofruar gazetari të pavarur të bazuar në fakte për audiencën në mbarë botën, shpesh në vende ku liria e shtypit nuk ekziston”, tha Balsamo. Vendimi, tha ai, “minon angazhimin e Amerikës për një shtyp të lirë dhe të pavarur”.
Organizata Reporterët pa Kufij me bazë në Paris e kritikoi gjithashtu masën, me drejtorin e saj të përgjithshëm, Thibaut Bruttin, duke thënë se ajo “kërcënon lirinë e shtypit në mbarë botën dhe mohon 80 vjet histori amerikane në mbështetjen e një rrjedhje të lirë informacioni”.
Disa republikanë kanë akuzuar Zërin e Amerikës dhe media të tjera të financuara nga publiku se janë të njëanshme kundër konservatorëve. Muajin e kaluar, miliarderi Elon Musk , i cili po drejton përpjekjet për zvogëlimin e qeverisë së Trump, bëri thirrje që Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë të mbyllen në një postim në platformën e tij të mediave sociale X.

Top Channel
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente