Shkoi në Surrel për të marrë paratë, si u arrestua Oficeri i Krimeve?! Pasi konstatoi se ra në grackë tentoi të arratisej (VIDEO)
Detaje të reja janë zbuluar nga arrestimi i Oficerit të Krimeve në Tiranë, Kastriot Palushi.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetaria e Top Channel, Dorjana Bezat, thuhet se ai kërkonte para për të favorizuar një palë në konflikt.
AMP ishte në Surrel ku Oficeri i Krimeve kishte lënë takim për të marrë paratë. Sapo ka konstatuar se kishte rënë në gracke oficeri ka tentuar të arratisej.
Pasi u prangos ai mohoi se kishte bërë korrupsion dhe se nuk kishte marrë para, por pasi iu ushtrua kontroll në makinë dhe u përball me provat ka heshtur.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve intensive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksiinit të Përgjithshëm Tiranë, duke aplikuar edhe metoda speciale të hetimit, ka arrestuar në flagrancë oficerin e policisë, Nënkomisar K. P., 35 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga hetimi i kryer, u administruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet e policisë gjyqësore, ka kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të veprimeve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 50 mijë lekësh, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumenta të tjera që lidhen me ngjarjen.
Top Channel
Burimi