
“Shko bëj ndonjë fëmijë”, kaos në parlamentin grek pas komentit të deputetit të Mitsotakis drejtuar koleges, kryeministri grek kërkon shkarkimin e tij
Në një atmosferë tepër të zjarrtë politike, në ditën e tretë të diskutimeve për mocionin e votëbesimit që kanë paraqitur 4 parti opozitare ndaj qeverisë Mitsotakis, kryeministri grek ka proceduar sipas rregullores së partisë së tij konservatore, duke dërguar deputetin Dimitris Kyriazidis në komisionin e Etikës, me propozim për shkarkimin e tij nga grupi parlamentar i kësaj force politike.
Kryeministri grek është shqetësuar nga komenti i papranueshëm i deputetit të qytetit të Dramës, në Greqinë Veriore, ndaj kryetares së Lundrimit të Lirisë, Zoi Konstantopoulou, që shkaktoi kaos reagimesh në parlament, raporton korrespondenti i Top Channel në Greqi Aleksandër Marku.
Ngjarja ka ndodhur kur deputeti kosnervator në një replikë me politikanen në fjalë e cila po fliste për fëmijët si shpresa për të ardhmen, i është drejtuar asaj duke i thënë të shkonte të bënte një fëmijë, ose të birësonte. (Konstantopoulou u martua para dy vitesh, por nuk ka ende fëmijë).
Kyriazidis: Shkoni të bëni ndonjë fëmijë…
Konstantopoulou: Më thatë të shkoj të bëj fëmijë?
Kyriazidis: Ose të birësoni…
Menjëherë në sallë është shkaktuar kaos dhe deputetë nga të gjitha partitë kanë reaguar duke dënuar deklaratat e tij edhe për faktin se vazhdonte të debatonte duke mos kërkuar falje. Madje është kritikuar edhe nga ministrja e Kohezionit Social dhe Familjes Sofia Zaharakis, e cila ka qenë edhe ajo në të kaluarën objekt i komenteve të tilla, për gratë që nuk kanë fëmijë.
Edhe pse më pas deputeti kosnervator u detyrua të kërkojë falje, kryeministri Mitsotakis ka vendosur ta dërgojë në komisionin e Etikës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.
Zhvillimi në fjalë ndodhi vetëm disa minuta pas fjalimit të ish kryeministrit Antonis Samaras, i përjashtuar edhe ai nga Demokracia e Re disa muaj më parë, i cili përsëri ka kritikuar qeverinë Mitsotakis duke deklaruar se nuk do të votojë mocionin e mosbesimit.
Sipas analistëve, klima është e rëndë për qeverinë brenda dhe jashtë parlamentit ku vazhdojnë mitingjet e protestës për tragjedinë hekurudhore të Tempit dy vjet më parë me 57 viktima.
Top Channel
Burimi