Preshi shqiptar – vlerat për shëndetin dhe pse duhet ta konsumoni
Preshi është një zgjedhje e shkëlqyer për të gjithë ata që duan të ndjekin një dietë të shëndetshme.
Vlerat e kesaj superperimeje janë të nënvlerësuara.
Por padyshim i njihnin mirë Grekët e Lashtë, Romakët dhe Egjiptianët përshembull, që i jepnin preshit kredite për vlerat e tyre terapeutike.
Perandori romak Nero gjithashtu e pinte dëndur lëngun e preshit për të forcuar zërin.
Ndërkohë që ne shqiptarët, preshin e përdorim në shumë mënyra; të gatuar në supë, ashtu të gjallë apo në lakrorin karakteristik që njihet në botë për vulën e tij “Made in Albania”.
Sepse preshi ka aq shumë të mira shëndetësore saqë nuk mund të injorohet.
Ato fillojnë që nga lehtësimi i dhembjeve të fytit, tek mbajtja larg e gurëve në veshka, deri te luftimi i qelizave të dëmshme, sa për të përmendur disa syresh.
Dhe padyshim ajo që është e mirë për shëndetin, shpesh ndodh të jetë e mirë edhe për biznesin.
Kështu thotë për AgroWeb.org edhe Kujtim Lika, i cili e eksporton këtë perim në rajon.
“Preshi hyn padiskutim në familjen e perimeve për të cilat ka më shumë kërkesë”, thotë Lika për Agroweb. Ai e eksporton preshin shqiptar kryesisht në Poloni, Bullgari, Bosnjë Hercegovinë dhe Ukrainë.
Preshi është shumë rezistent ndaj të ftohtit dhe ngricave. Ai ka mundësi që të kultivohet deri nga fundi i muajit prill pothuajse në shumë zona të vendit.
Prodhimin më të madh e ka zona e Lezhës me 600 kv dhe Tirana me 300kv, duke u eksportuar përgjatë të gjithë dimrit dhe pranverës.
“Ne eksportojmë në të gjithë rajonin”, thotë për AgroWeb.org, Saimir Biti një tjetër eksportues duke pohuar se kërkesa për këtë perim ka ardhur në rritje.
“Do të thoja madje dhe më shumë se lulelakra, karrota apo kungulli. Gjatë kohës së komunizmit preshi ishte një nga perimet me prodhimtari dhe eksport të lartë.
Në Shqipëri një kilogram presh shitet mjaft lirë, ndërkohë që në Britaninë e Madhe përshembull çmimi shkon në 400 lekë për 400 gramë presh dhe në Shtetet e Bashkuara shifra mund të shkojë deri 1300 lekë për 1 kg.
Po, është kaq i shtrenjtë për shkak dhe të vlerave të mëdha që ka si perim.
Tretet shumë më shpejt se qepët dhe ka vlera laksative, antiseptike, diuretike dhe ndihmon kundër artritit.
Dhe nëse konsumohen rregullisht të ndihmon të jesh në formë dhe i shëndetshëm.
Shikoni se çfarë i bën preshi trupin tonë dhe do të fluturoni drejt tregut për ta blerë.
Ndihmon në funksionimin e mirë të veshkave
Duke qenë se preshi përmban 1/8 e e sasisë ditore të potasit që duhet të marrë një i rritur, inkurajon në funksionimin e mirë të veshkave duke shërbyer si diuretik.
Presh për një zemër të shëndetshme
Ngrënia e preshit ka treguar se ul kolesterolin e keq dhe në të njëjtën kohë rrit kolesterolin e mirë.
Kjo është shumë e rëndësishme për të parandaluar trashjen e pllakave të enëve të gjakut që gjenden në disa lloj sëmundjesh.
Nëse pllakat trashen shumë apo këputen ato mund të shkaktojnë atak kardiak ose hemoragji.
Perimet e familjes allium, ku përfshihet dhe preshi ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut, një faktor tjetër që kontribuon në sëmundjet kardiake.
Për stabilizimin e sheqerit në gjak
Preshi është një burim shumë i mirë me manganez dhe vitaminë B6, vitaminë C, folat dhe hekur.
Të gjithë këto ushqyes veprojnë në trupin e njeriut duke stabilizuar sheqerin në gjak. Po ashtu duke ulur përthithjen e sheqerit nga trakti tretës.
I shkëlqyer dhe për nënat shtatëzëna
Preshi është një burim shumë i mirë me vitaminë B dhe folat. Folati është shumë i rëndësishëm për gratë shtatëzëna duke ulur rriskun për defektet e shtyllës kurrizore.
Një porcion me presh të gatuar përmban gati 1/3 e sasisë së folatit të rekomanduar për konsum nga një i rritur.
Për një dietë të shëndetshme
Preshi është një zgjedhje e shkëlqyer për të gjithë ata që duan të ndjekin një dietë të shëndetshme, duke qenë se ka pak kalori dhe është plot me vitamina e minerale./AgroWeb
Top Channel
Burimi