Po vizitonte vullkanin pranë Napolit, temperaturat e larta i marrin jetën turistit britanik
Një britanik ka humbur jetën nga një atak në zemër, teksa vizitonte në vullkanin Vezuv pranë Napolit, teksa temperaturat arritën në 40 gradë Celsius.
Turisti 56-vjeçar ishte së bashku me familjen e tij, duke shijuar pushimet, por që rezultuan fatale.
The Guardian shkruan se Mark John Irwin dyshohet se ka ndërruar jetë si pasojë e temperaturave të larta që i shkaktuan edhe atakun.
“Ne po ndihmojmë familjen e një britaniku që vdiq në Itali dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale”, tha një zëdhënës i Zyrës së Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.
Paolo Cappelli, president i një shoqate të udhërrëfyesve malorë që punojnë në vullkanin 1,132 metra të lartë, tha për Telegraph:
“Ai ishte pikërisht në majë kur u rrëzua. Gruaja e tij na tha se ai kishte bërë një operacion në zemrën e tij dy-tre muaj më parë. Mendojmë se mund të ketë pasur një atak në zemër. Është shumë e trishtueshme. Është shumë e rrallë që kjo të ndodhë në Vezuv. Kemi një vdekje çdo një ose dy vjet, gjë që nuk është shumë duke marrë parasysh faktin se rreth 3000 njerëz ngjiten në majën e vullkanit çdo ditë”.
Italia ka qenë në mes të një vale të nxehti ditët e fundit, e cila ka parë që shumë pjesë të vendit të zhyten në temperatura deri në 40 gradë Celsius.
Temperaturat e larta janë përhapur në të gjithë Evropën Jugore dhe kanë rezultuar në vdekjen e gjashtë turistëve në Greqi, duke përfshirë një gjerman 68-vjeçar në rajonin Sougia të Kretës.
Ekipet e shpëtimit janë në kërkim të dy grave franceze të zhdukura, 73 dhe 64 vjeç, në ishullin Sikinos dhe një 59-vjeçar amerikan në Amorgos.
Top Channel
Burimi