Po shoqëronte kryeministrin hungarez drejt aeroportit pas ndeshjes së Euro 2024, pëson aksident gjatë rrugës punonjësi i sigurisë! Ndërron jetë në spital
Një oficer policie, i cili ishte pjesë e eskortës së sigurisë së kryeministrit hungarez Viktor Orbán, u vra në një aksident trafiku në qytetin gjerman të Shtutgartit të hënën.
Orban ishte rrugës për në aeroport, pasi pa Hungarinë të mposht Skocinë në një ndeshje dramatike të Euro 2024 mbrëmjen e kaluar.
Kryeministri hungarez nuk u dëmtua në aksident dhe vazhdoi udhëtimin e tij drejt aeroportit të Shtutgartit siç ishte planifikuar, tha një zëdhënës i policisë për CNN.
Oficeri 61-vjeçar u plagos rëndë nga përplasja dhe më pas vdiq në spital, sipas policisë. Një tjetër oficer, 27 vjeç, u shtrua gjithashtu në spital me plagë të rënda.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 11:15 të së hënës, kur një drejtues i BMW-së 69-vjeçar ka tentuar të kthehet në një rrugë të mbyllur që ishte në rrugën e eskortës së policisë.
Drejtuesi i mjetit mesa duket nuk e ka parë bllokimin e rrugës dhe është përplasur me motoçikletën e oficerit, e cila më pas është hedhur nga forca e goditjes mbi motorin e oficerit tjetër.
“Ne jemi thellësisht të tronditur nga aksidenti që përfshin kolegun tonë,” tha Komisioneri i Policisë Markus Eisenbraun.
“Jemi të habitur nga rrethanat tragjike që rrethuan vdekjen e kolegut tonë të nderuar dhe e gjithë forca e policisë së Shtutgartit është thellësisht e pikëlluar”.
“Mendimet tona janë me familjen, të afërmit dhe miqtë e tij. I dërgojmë urimet tona më të mira për një shërim të shpejtë kolegut tonë i cili gjithashtu u plagos rëndë në aksident”, shtoi Eisenbraun.
Top Channel
Burimi