Parandalohet krimi në familje/ Dhunoi bashkëjetuesen dhe fëmijën e saj të mitur, arrestohet 45-vjeçari dhe babai i tij
Një 45-vjeçar ka rënë në pranga në Cerrik, pasi dhunoi dhe kërcënoi bashkëjetuesen dhe fëmijën e saj të mitur.
Pas kallëzimit të gruas, se ajo dhe fëmija i saj i mitur, dhunoheshin dhe kanoseshin për jetën, nga bashkëjetuesi i saj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, në kuadër të operacionit policor të koduar “Risku”, kanë mundësuar kapjen dhe vënien në pranga të autorit të këtij rasti, shtetasit V. K., 45 vjeç.
Gjatë këtij operacioni është vënë në pranga dhe babai i 45-vjeçarit, shtetasi Z. K., 71 vjeç, pasi nga kontrolli në banesën dhe në automjetin e tij, Policia ka gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale, 2 kallëpe tritoli, 1 armë zjarri pushkë, 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 1 mjet prerës (thikë).
Me qëllim trajtimin e plotë të këtij rasti, kallëzueses dhe fëmijës së saj të mitur iu janë plotësuar kërkesë paditë për urdhra të mbrojtjes së menjëhershme dhe janë dërguar në qendrën sociale “Forumi i Gruas”, Elbasan, për të marrë asistencën e nevojshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel
Burimi