Ofroi 5 milionë lekë për masë më të butë, GJKKO lë në burg ish-ministrin Ilir Beqaj! Ndryshon masa vetëm për Alfred Nikollin
Ka përfunduar në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion seanca për vlerësimin e masave të sigurisë për ish-ministrin Ilir Beqajn dhe bashkëpunëtorët e tij, të akuzuar për korrupsionin me fondet e BE në SASPAC.
Beqaj, edhe pse ofroi 5 milionë lekë garanci pasurore për të marrë një masë më të butë sigurie, GJKKO e ka lënë sërish në arrest me burg.
Edhe për bashkëpunëtorin e tij, i cili ofroi si garanci shumën e makinës së sapo shitur Audi Q7, nuk ndryshoi masa e sigurisë, por vetëm për Alfred Nikollin, duke u lënë në arrest shtëpie nga arresti me burg.
Seanca nisi që prej orës 12:30, ku ish-ministri Beqaj i mohoi akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas burimeve, Beqaj tha në seancë për makinën që pretendohet se ka fshehur pronësinë se nuk ka pse ta fshehë sepse me të ardhurat që ka “mund të përballojë disa makina si ajo.”
Ndërsa për përfshirjen e bashkëshortes së tij si ortake në restorantin “Gzona”, ish-ministri tregoi se “ishte një kërkesë nga një mik i përbashkët për të qenë ortakë, për arsyen që të mund të tërheqë klientë të serës së lartë.”
Dje, Gjykata nuk i verifikoi dot 8 masat e sigurisë, mes tyre edhe ndaj ish-funksionarit Ilir Beqaj, të identifikuar si shpërdorues të fondeve të Bashkimit Europian, përmes prokurimeve dhe shërbimeve fiktive që aprovoheshin nga SASPAK. Avokatët e tyre kërkuan kohë shtesë për të studiuar fashikujt e prokurores së çështjes Elida Kackini, dhe për këtë shkak gjyqtarja e shtyu seancën për sot.
Hetimi i Kackinit rëndon pozitën e ish ministrit të shëndetësisë, që në këtë rast hetohet si ish drejtor i SASPAK, dhe që gjatë një viti në këtë post përmes Ermal Kurtulaj dyshohen se devijuan përmes shërbimeve si konferencave në fushën e mjedisit dhe të energjetikës gati 500 mijë euro.
Në një rast për një konferencë dy ditore shërbimi i ofruar u prokurua me vlerë 125 mijë euro , një shumë e njëjtë e prokuruar edhe nga ministria e turizmit me një çmim 38 mijë euro për të dyja eventet u kontaktua e njëjta shoqëri për fatura fiktive që u firmosën nga i arrestuari i tretë Alfred Nikolla.
Administratorë të tjerë shoqërish janë nën arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje Marinela Jazoj, Bledar leka, Bjona Zijaj Elton Marini dhe Gazmend Haxhia.
SPAK thotë se nga kontrollet dhe përgjimet ka siguruar prova, për secilin mes tyre edhe një fletore e sekuestruar Ermaul Kurtulajt. Prova vlerësohen edhe dokumentet për restorantin Gzona dhe për një automjet që deklarohen si pasuri të fshehura nga ish-ministri Beqaj.
Njoftimi i GJKKO
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 07.2024, Nr. Regj.Them. 73, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt:“1.Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosura për personat nën hetim; 2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla, të dyshuar për veprat respektive; 3. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Bledar Leka dhe Bjona Ziaj, të dyshuar për veprat respektive; 4. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale për personin nën hetim Elton Marini, të dyshuar për veprën penale respektive”.
Në përfundim të gjykimit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenin 112, 228, 229, 230, 234, 237, 238, 248, 249, 260 të K.Pr.Penale dhe Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 7, datë 14.10.2011, me Vendimin Nr. 73, datë 06.07.2024.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ilir Hamid Beqaj,i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ermal Xhemal Kurtulaj,i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë publikë”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla,i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publike”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”,parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla.
Në referim të nenit 237, pika 1 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla, të qëndrojë në banesën e tij me adresë: Rruga “Tish Daija”, Kompleksi “Kika 2”, Nd. 32, H4, Ap. 54, Nj. Adm. Nr. 5, Tiranë.
Në referim të nenit 237, pika 2 dhe 3 të K.Pr.Penale, kontrolli dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga shërbimet e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetimAlfred Nikollaq Nikolla.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Elton Koli Marini,i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 143/ 3 i Kodit Penal.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bledar Shpend Leka,i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim” kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 143/2 i Kodit Penal.
Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Bledar Shpend Leka, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore Samet Gurguri, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 12.00.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bjona Bexhet Ziaj,e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.
Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Bjona Ziaj, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore Samet Gurguri, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 12.00.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.
Top Channel
Burimi