Nga Kosova, jo vetëm në Shqipëri/ Turizmi patriotik, konkurrohet edhe nga plazhet e Greqisë pas heqjes së vizave
Qershori shënon hapjen e sezonit turistik në vendet bregdetare.
Për shqiptarët e Kosovës, Shqipëria për vite të tëra ishte destinacioni kryesor për të kaluar pushimet e verës.
Megjithatë, liberalizimi i vizave që u jetësua në janar të këtij viti, ka shtuar destinacione të reja.
Sipas agjencive turistike në Kosovë vendet e zonës Shengen si Greqia, mbesin të kërkuara për fundjava, ndërkohë që dominon kërkesa për pushime edhe ne Turqi.
Ndërkohë, Shqipëria mbetet akoma si destinacioni kryesor i pushimeve për shumë kosovarë.
“Për atë mungesë që ne patëm nga janari deri në prill në brigjet e Durrësit, Shëngjinit dhe komplet brigjeve të Shqipërisë, tashmë ky deficit, po kalon në suficit turistik, që realisht është një numër i madh i qytetarëve të Kosovës që edhe për 2024 pushimet verore do t’i kalojnë në Shqipëri”, tha Ruzhdi Kurtishaj, udhëheqës i agjencisë turistike.
Ndër arsyet kryesore ka të bëjë më çmimin më ekonomik të shërbimeve.
“Për shkak të ofertës ekonomike, Shqipëria mbetet destinacioni kryesor i qytetarëve të Kosovës, jo vetëm për shkak të afërsisë dhe gjuhës, por edhe për shkak të shërbimeve dhe çmimeve”, tha Kurtishaj.
Pushuesit nga Kosova e kryesuan listën e turistëve në Shqipëri.
Sipas statistikave përgjatë vitit 2023, nga Kosova hynë mbi katër milionë persona ose rreth 43% e numrit të përgjithshëm të turistëve.
Top Channel
Burimi