Më shumë hithra në vjeshtë për një imunitet më të fortë në dimër
Hithra është një barishte shumë e pasur në vlera për trupin e njeriut. Ajo është e pasur në fibër, kalcium, magnez, proteinë apo vitaminat A dhe B6. Kjo barishte duhet konsumuar rregullisht sepse ndihmon në mirëmbajtjen e nivelit të sheqerit në gjak, pastron organizmin nga toksinat dhe forcon sistemin imunitar.
Hithra kombinohet mjaft mirë me brokolin, domatet dhe praktikisht çdo perime tjetër të stinës.
Hithra Për Imunitetin
Duke qenë se hithra është shumë e pasur me hekur, ajo duhet konsumuar nga njerëzit që kanë pamjaftueshmëri të këtij minerali dhe anemikët. Megjithatë, hekuri luan një rol thelbësor tek sistemi imunitar, sidomos tek limfocitet që mundësojnë reagimin në kohë të organizmit ndaj një infeksioni të mundshëm. Ekspertët thonë se në stinët e pranverës dhe vjeshtës, trupi ka nevoja të mëdha për ushqyes dhe mbështetje me vitamina e minerale.
Për këtë arsye, ata këshillojnë konsum të vazhdueshëm të hithrës dhe barishteve të ngjashme në këto stinë. Hithra fuqizon mëlçinë, veshkat, tëmthin dhe fshikëzën e urinës duke lehtësuar kështu nxjerrjen e toksinave të dëmshme nga organizmi.
Mënyrat e Konsumit Të Hithrës
Hithra mund të gatuhet si çdo barishte tjetër. Ajo valohet dhe konsumohet si sallatë ose përfshihet në gatimet e brumit. Hithra duhet mbledhur nga vende të sigurta ku nuk janë përdorur pesticide. Ato të rritura në natyrë janë më të shëndetshme thonë ekspertët. Me hithrën mund të përgatisni edhe një çaj të shëndetshëm e të pasur me vitamina dhe minerale.
Vendosni hithrat, të thata ose të freskëta, në një çajnik. Hidhni ujë dhe vendoseni çajnikun në zjarr. Për një filxhan me hithra, ju nevojiten 2 filxhanë me ujë.
Çajin mund ta bëni të fortë duke hedhur më pak ujë, ose më të lehtë duke hedhur më shumë ujë. Sapo uji të nisë të ziejë, hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet për pak minuta. Më pas kullojeni dhe hidheni në filxhan. Disa njerëz preferojnë të shtojnë pak sheqer, por mjalti është një zgjidhje ideale./AgroWeb
Top Channel
Burimi