
Mbijeton qeveria e Mitsotakis! Rrëzohet mocioni i mosbesimit pas 3 ditëve të ethshme në Greqi
Qeveria e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis i ka mbijetuar mocionit të mosbesimit që kanë paraqitur në parlament 4 parti opozitare në lidhje me tragjedinë hekurudhore më të madhe në historinë e vendit , atë të dy viteve më parë në luginën e Tempit me 57 viktima.
Pas 3 ditësh diskutimesh në parlament në një atmosferë tepër të zjarrtë politike dhe fjalimeve të më shumë se 120 deputetevë për 42 orë , 157 ligjëvënës të Demokracisë së Re nga 293 të panishmit kanë votuar kundër mocionit të mosbesimit.
Abstenuan nga votimi pesë deputetët të partisë Spartiatët , një deputet i pavarur dhe ish-kryeministri z. Antonis Samaras i përjashtuar nga Demokracia e Re.
Më herët në fjalimin e tij kryeministri grek, duke diskutuar për aksidentin ka deklaruar se “Nëse ka pasur dështime në terren, ato do të hetohen nga drejtësia. Askush nuk do të gjykohet nga gjykatat popullore dhe nuk do të zhvlerësohet asnjë rezultat i drejtësisë”.
Deri në zgjedhjet e ardhshme, kjo qeveri do të ketë shumicën që i dhanë qytetarët në zgjedhjet e mëparshme, ju pëlqen apo nuk ju pëlqen juve- i është drejtuar ai në fund të fjalimit opozitarëve socialistë.
Duke kritikuar ashpër opozitën për populizëm, Mitsotakis ka njoftuar se është gati të rishikojë ndryshimet e kushtetutës sa i përket nenit 86 për përgjegjësitë e ministrave në detyrë, si dhe të emërimit të anëtarëve të gjykëtës së lartë, duke kërkuar nga socialistët opozitarë mbështetje për të kryer reformën e vlerësimit të nënpunësve të administratës publike.
Para fjalimit të tij, tre studentë nga të ftuarit në llozhat e parlamentit kanë hedhur fletushka me përmbajtje antiqeveritare në sallë.
Nga ana e tyre gjithë liderët e partive të opozitës kanë shigjetuar qeverinë dhe politikat e saj duke e akuzuar për paaftësi, për mbulimin e shkaqeve të aksidentit dhe duke e quajtur të rrezikshme për grekët. Gjatl gjithë orëve të pasdites e deri në momentin e votimit mijëra qytetarë kanë protestuar jashtë parlamentit duke kërkuar drejtësi për viktimat e aksidentit, ndërsa protestat kanë degjeneruar edhe në përleshje me forcat policore.
Top Channel
Burimi