Kërkuan nga të ftuarit nga 450 dollarë, askush nuk u shkon në dasmë: Ju i shpenzoni për budallallëqe, s’keni për ne?!
Ka nga ata që zgjedhin të martohen në McDonald’s për të shmangur shpenzimet e tepërta dhe nga ata që, në vend të kësaj, kërkojnë ndihmë nga të ftuarit për të mbuluar shpenzimet e ceremonisë.
Është historia e një çifti amerikan që për të organizuar dasmën e ëndrrave të tyre, vendosën të shesin bileta, njësoj si një shfaqje.
Listat e dasmave janë tashmë një kujtim i largët. Bashkëshortët e sotëm shpesh preferojnë të marrin kontribute monetare nga të ftuarit, qoftë për të mbuluar shpenzimet e festës, për të mbuluar një udhëtim, për të blerë pajisje shtëpiake apo për të kënaqur nevoja të tjera.
Zakonisht shumat janë të ndryshueshme dhe çdo i ftuar merr pjesë në dhuratë brenda kufijve të mundësive të tij.
Megjithatë, në dasmën e 23-vjeçarit Hassan Ahmed dhe të fejuarës së tij, gjërat shkuan ndryshe. Çifti nga Hjustoni u ka kërkuar të ftuarve të paguajnë nga 450 dollarë secili për të marrë pjesë në ceremoni.
Rezultati? Nisur nga shuma e konsiderueshme, por mbi të gjitha e detyrueshme, askush nuk u paraqit në festë. “Të gjithë njerëzit që ftuam refuzuan”, tha vetë Ahmed në mediat sociale.
Nuk është e vështirë të imagjinohet zhgënjimi i bashkëshortëve, të mbetur vetëm në ditën e tyre të veçantë.
Në fakt, menjëherë pas incidentit, Hassan Ahmed pyeti personat në TikTok për mendimin e tyre për këtë çështje. Në profilin e tij me 6 mijë ndjekës ai ka postuar një video në të cilën tregon se si shkoi, të paktën nga këndvështrimi i tij.
“Më tregoni pse të gjithë që ne ftuam e refuzuan ftesën”, pyeti Ahmed komunitetin e tij. Sipas tij, ai dhe e dashura e tij kishin shpenzuar tashmë rreth 200 mijë dollarë ceremoninë, duke siguruar veshjet, DJ-në, tortën, fotografin etj. Pra, ata besuan se ishte e drejtë që të ftuarit të kontribuonin një lloj bilete, ashtu si ishte një koncert.
“Ajo që nuk e kuptoj është se të gjithë ju shpenzoni 400 dollarë ose më shumë për budallallëqe, por jo që të vini për të mbështetur miqtë ose familjen tuaj në ditën e tyre të dasmës”, vazhdoi i riu. Në fund të videos, Ahmed nis një apel për ndjekësit e tij, duke i ftuar ata të komentojnë: “Unë me të vërtetë dua të di se çfarë mendoni”, thotë ai.
Top Channel
Burimi