Izraeli i ndalon libanezëve lëvizjen në jug, Hezbollahu: U shkel armëpushimi!

Izraeli i ndalon libanezëve lëvizjen në jug, Hezbollahu: U shkel armëpushimi!

Izraeli ua ka ndaluar libanezëve lëvizjen në një sërë fshatrash dhe në rrethinat e tyre në jug të vendit fqinj.

Ushtria e shtetit hebre njoftoi se një ditë më parë kishte hapur zjarr ndaj atyre që i cilësoi si “të dyshuar” që mbërritën me vetura në disa zona në jug të Libanit, duke theksuar se ata e shkelën armëpushimin mes tij dhe grupit të mbështetur nga Irani, Hezbollah, i cili hyri në fuqi të mërkurën.
Ligjvënësi nga radhët e Hezbollahut, Hassan Fadlallah, e akuzoi nga ana e tij Izraelin për shkeljen e marrëveshjes. “Armiku ynë, Izraeli, po i sulmon ata që po kthehen në fshatrat kufitarë”, tha Fadlallah për gazetarë, pas një seance parlamentare, duke shtuar se “këto janë shkelje nga ana e Izraelit, edhe në këtë formë”. Po të enjten, ushtria izraelite goditi një ndërtesë të përdorur nga Hezbollahu për ruajtjen e raketave me rreze të mesme në jug të Libanit.

Ky ishte sulmi i parë i këtij lloji që prej hyrjes së armëpushimit në fuqi mëngjesin e së mërkurës. Në një postim në platformën X të premten, zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Avichay Adraee u bëri thirrje banorëve të Libanit të mos kthehen në më shumë se 60 fshatra në jug, duke thënë se kushdo që lëviz përgjatë vijës së theksuar jugore “ vë veten në rrezik”. Ushtria e Libanit e akuzoi më herët Izraelin për shkeljen e armëpushimit disa herë të mërkurën dhe të enjten.
Shkëmbimi i akuzave mes dy palëve nxjerr në pah brishtësinë e këtij armëpushimi, i cili u ndërmjetësua nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca për t’i dhënë fund luftës 14-mujore, e që do të zgjasë 60 ditë, me shpresën se do të çojë drejt një marrëveshjeje që i jep fund luftës përfundimisht.
 

Top Channel
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente