Dieta detox, ja arsyet se përse s’duhet të abuzojmë

Dieta detox, ja arsyet se përse s’duhet të abuzojmë

Teori të ndryshme për të pastruar organizmin qarkullojnë përditë. Por, çfarë të konsumojmë për t’u pastruar vërtetë nga toksinat. Çfarë të bëjmë që të mos i akumulojmë ato në trup, pa rënë pre e dietave abuzive?!

Sigurisht që dieta detox është klasike, një domosdoshmëri e pranverës, një imperativ kategorik për të evituar efektet e një jete të çrregullt me kile të tepërta.
Por, a është e gjithë kjo vetëm marketing apo dietat pastruese funksionojnë vërtetë? Ky nuk është një mision që do të zgjidhet këtu por, sipas përgjigjeve të shumë nutricionistëve, publiciteti është abuziv.

Sigurisht, që secili prej nesh mund të jetojë 24 orë duke ngrënë sallata por nëse e kalojmë këtë kohë, rreziqet janë të heshtura brenda në trup.
Askush prej tyre nuk është kundër konsumit të frutave, perimeve, lëngjeve të shtrydhura apo gjithçkaje të freskët, mirëpo, nuk mund të jetohet vetëm me ato.
Sipas një shkrimi të disa mjekëve britanikë të “Milton Keynes Hospital”, dieta detox nuk është veçse një mënyrë jo efektive, madje e dëmshme dhe e rrezikshme për ata që abuzojnë dhe nuk dinë të përdorin këtë dietë.
Në favor të tezës së tyre, ata sjellin rastin e një gruaje angleze, të cilën e përshkruajnë edhe në “British Medical Journal Case Reports”, dhe që e theksojnë si një paralajmërim që duhet të mbahet mirë parasysh.
47-vjeçarja britanike kishte marrë në mënyrë të vazhdueshme një kokteil barërash me bazë qumësht gjembaçi, çaj jeshil, Vitaminë B, rrënjë valeriane, shoqëruar me sasi te mëdha uji. Si pasojë, ajo kishte pësuar humbje ndjenjash dhe fenomene krizash epileptike. Pas shtrimit në spital, tek gruaja ishin vënë re nivele të ulëta te natriumit.
Në lidhje me këtë temë më pas kanë ndërhyrë edhe “Association of British Dieters” që publikuan një raport në të cilin theksonin se “ideja e dezintoksikimit të organizmit në vetvete është një absurditet”. Trupi i njeriut, thonë ata, ka një sistem te kolauduar me te cilin ai vetëpastrohet në mënyrë sistematike nga skoriet dhe toskinat. Organet të tilla si lëkura, aparati intestinal, mëlçia dhe veshkat e pastrojnë atë periodikisht, ndaj theksojnë ata, mënyra më e mirë është respektimi i një diete të shëndetshme dhe të ekuilibruar, shoqëruar me një mënyrë aktive të të jetuarit, në vend të përdorimit të mënyrave dhe metodave të sforcuara, sikurse dieta detox.
Nutricionistja Enkeleida Ferrollari në studion e emisionit “Në shtëpinë tonë” shpjegon rreth kësaj diete dhe si të mos abuzoni me të.

Top Channel
Burimi