
Dhuratat për 7 mars! Një trend i ri përtej buqetave, bizhuteri dhe objekte shtëpiake për mësuesit
Në shkollat shqiptare 7 marsi është mes mësimit dhe festës. Klasat mbushen me lule, mesazhe falenderimi dhe aktivitete kushtuar mësuesve.
Por përtej buqetave, kjo ditë shoqërohet edhe me një trend tjetër: dhurata materiale ndaj mësuesve.
Praktikë është kthyer tashmë të mblidhen shuma simbolike në klasa, por ka edhe disa nxënës që zgjedhin dhurata personale, bizhuteri apo deri te objekte shtëpiake.
“U mblodhëm vendosëm nga 13 mijë lek, edhe i blemë një varëse floriri dhe një tas për fruta të thata”.
Shishet me alkool janë një tjetër formë falenderimi. Mirënjohja ndaj arsimtarëve tregohet edhe me para.
“Unë dhashë lek”, “dhe unë”, “kontribuam si klasë me nga 1000 lek dhe një buqetë me lule. Mësuesja u kënaq shumë”-shprehen disa nxënës.
Por si e përjetojnë mësuesit këtë mënyrë falenderimi për përkushtimin e treguar gjatë vitit mësimor?
“Të jem e sinqertë është siklet. Por kjo është dita jonë, si të thuash me fjalë apo me gjëra të tjera gjejnë forma për të na falenderuar”-shprehet një mësuese.
Mënyrat e shprehjes së vlerësimit në ditën e mësuesve ka ndarë opinionin publik, një anë e sheh të arsyeshme e të tjerë të tepruar.
Por ka edhe raste të veçanta, kur familjarët njoftohen që në klasa nuk do të pranohen dhuratat.
“Nipi nuk i dha. Mësuesja tha s’dua asgjë. Janë të rralla”.
E rrallë është edhe të mos harrosh mësuesen që ka dalë prej 12 vitesh në pension, e të shohësh gëzimin kur merr lule. Siç është emocioni që na dhuroi Nexhmije Agolli.
“Kanë ndryshuar shumë kohët. Ne kënaqeshim me një lule”.
Por fati i buqetave nuk është shpesh jetëgjatë. Blihen për mësuesit, por ndodh edhe që përfundojnë pas shkollës në duart e nxënësve.
Top Channel
Burimi