Dhoma e Avokatisë kundër SPAK, Maks Haxhia: U shkel ligji me kontrollin në zyrën e avokates Gerta Domi
Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka kundërshtuar disa kontrolle që SPAK dhe BKH kanë ushtruar në zyra avokatie, në kuadër të hetimeve penale.
Një nga rastet e fundit është kontrolli në galerinë e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Kryetari Maks Haxhia, shpjegon për Top Channel se kontrollet brenda këtyre ambienteve, janë bërë edhe në zyrën e avokates Gerta Domi, pa praninë e një përfaqësuesi të dhomës së avokatisë, ç’ka është në shkelje të nenit nr.52 të kodit të procedurës penale.
“Në ambientet e punës së zonjës, aty ka ushtruar profesionin e avokatit dhe një avokate, anëtare e dhomës së avokatisë së Tiranës, Gerta Domi. Dhe ligji merr në mbrojte të veçantë që nuk mund të kontrollosh ambientet e një zyre avokatie dhe personave të tjerë që janë në atë zyrë pa lajmëruar dhomën e avokatisë ,e cila duhet të vije brenda dy orëve, të jetë e pranishme dhe të kontrollojë dhe vëzhgojë dhe të mbajë në interesim të veçantë trajtimin se si bëhet kontrolli. Edhe kjo është një shkelje e rëndë dhe në rast se nuk zbatohen këto gjëra nga ana e organeve të hetimit dhe ana e gjykatës, të gjitha këto bëjnë qe edhe nëse me prova, këto prova janë të pavlefshme”, tha Haxhia.
Sipas Haxhisë, në zyrën e avokatit ka dokumente edhe të klientëve të tjerë, që nuk kanë lidhje me hetimin përkatës, për të cilat organi hetimit nuk ka të drejtë t’i kontrollojë, por duhet të përqendrohet vetëm në çështjen që ka vendim gjykate.
“Këto siç po shohim po ndodhin shpesh dhe po ndodhin shpesh për shkak sepse gjykata i ka hapur krahun, është bërë palë me hetimin, nën petkun dhe nën impresionin e opinionit të luftës kundër korrupsionit, të luftës kundër krimit të organizuar, por precedentë të tillë janë shumë të rrezikshme sepse çojnë në arbitraritet, çojnë në diktaturë, çojnë në ekstremitete të sjelljes së organeve shtetërore dhe njëkohësisht ne injorimin e qenies humane lidhur me të drejtat themelore”, tha ai.
Top Channel
Burimi