Asgjësohen 320 bimë kanabisi në Vlorë, dy në pranga dhe një në kërkim

Asgjësohen 320 bimë kanabisi në Vlorë, dy në pranga dhe një në kërkim

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i Pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë intensifikuar kontrollet në terren, të bazuara në inteligjencën policore dhe në hetime proaktive.
Në këtë kuadër, si rezultat i një hetimi proaktiv, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Forest”. Në kuadër të këtij operacioni u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

R. V., 23 vjeç dhe A. Ç., 49 vjeç, të dy këta shtetas me masë sigurie “Arrest shtëpie” në fushën e narkotikëve, të cilën e kanë thyer gjatë kohës që merreshin përsëri me kultivimin e bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të tyre, shtetasit R. H., 30 vjeç, banues në Vlorë.
Këta shtetas, brenda një parcele me ullinj në fshatin Trevllazër, kishin kultivuar 320 bimë kanabisi. Gjatë operacionit, 2 shtetasit e vënë në pranga u kapën në parcelë, duke u kujdesur për bimët narkotike.
Gjatë hetimit proaktiv janë siguruar prova filmike kur këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shkonin në mënyrë të përsëritur te parcela për t’u kujdesur për bimët.
Shërbimet e Policisë kanë asgjësuar bimët narkotike, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një makinë bujqësore traktor si dhe sende të tjera që shërbenin në këtë aktivitet kriminal.

Top Channel
Burimi