Akti normativ për mjekët, hiqen kufizimet e vendosura për të gjithë shefat e shërbimeve spitalore
Akti normativ që kufizon dy punësimin e mjekëve njëherësh në spitale publike dhe jo publike, ka kaluar tanimë diskutimin në Komisionin e Shëndetësisë dhe pritet të marrë miratimin në Parlament seancën e nesërme.
Por ndryshe nga sa ishte paraqitur në relacion, që mjekët të cilët kanë poste drejtuese si në spitale publike apo në departamentet e Universitetit të Mjekësisë nuk do të punonin në spitale private, duke privuar kështu të gjithë shefat e shërbimeve në QSUT, të cilët praktikisht pothuajse të gjithë janë të punësuar në spitale jopublike,me aktin normativ të miratur kjo ka ndryshuar.
Shefat e Shërbimeve mund të punojnë në spitale jopublike, por nuk mund të kenë funksione drejtuese në ato spitale apo nuk mund të kenë klinika të tyre. Kjo pikë është negociuar pas një reagimi të fortë të shefave të shërbimeve.
Por ndërkohë mjekët e tjerë mund të punojnë në klinika apo spitale private pa cënuar 8 orarëshin e punës në spitalin publik , por jo më shumë se 30 % të orëve të punës që bëjnë në shtet.
Ndërsa ata mjekë të cilët punojnë në një spital publik që ka fituar kartën e autonomisë financiare nuk do të lejohet të punojë në privat , pasi do ‘ti lejohet të aplikojë praktikën dyfishe, që do të thotë se pas orarit të punës ai mund të kryejë vizita me pacientët kundrejt pagesës në spitalin publik, ku një pjesë e kësaj pagese i kalon spitalit dhe pjesa tjetër në xhepin e mjekut. Por aktualisht asnjë spital në vendin tonë nuk është pajisur me kartën e autonomisë financiare.
Pajisja me kartën e autonomisë financiare nuk duket afër. Mendohet që spitali memorial i Fierit ta marrë në janar , ndërkohë që spitale të tjera publike kanë aplikuar ose janë në proces për kartën e autonomisë menaxheriale e cila nuk i pengon mjekët të punojnë në privat. Por ndërkohë për të vijuar punën në spitalet jopublike mjekët duhet të bëjnë kërkesë në drejtorinë e spitalit publik dhe ky titullar bën aprovimin ose jo.
Ndërkohë që në Ministrinë e Shëndetësisë do të krijohet një regjistër elektronik me emrat e të gjithë mjekëve që janë të punësuar edhe në publik edhe në privat. Mbetet për t’u parë nëse ligji i ndryshuar për urdhrin e Mjekut do të marrë miratim të enjten në parlament .Vetë Urdhri i Mjekut është shprehur se nëse miratohet ateherë do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese
Top Channel
Burimi