Si u gjend Kadare në “prehërin” e Nënë Terezës?!

Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e rastit në homazhet e zhvilluara për shkrimtarin e madh Ismail Kadare në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Ndër kritikët e tij në mesin e viteve ’90, me stilin e hidhur të një pene që shponte e madje çante tejpërtej mitet shqiptare dhe krijuesit e tyre, pra mes tyre dhe Kadarenë, Rama shpjegoi fillimisht se si lindi dekori me siluetën e Nënë Terezës në vendin ku u vendos arkëmorti me trupin e pajetë të shkrimtarit
“Njoftimi që salla ishte zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty më erdhi bashkë me foton e kësaj skene, e cila po montohej për një shfaqje sot në darkë. Lëreni aty iu thashë, nuk ka më mirë. Askujt nuk do t’i shkonte mendja çka rastësia e solli këtu enkas për Ismailin dhe më mirë sesa nën hijen e saj…”, tha Rama, për të dalë më pas te kundërshtarët e të ndjerit, mes të cilëve ka qenë ai vete, krah për krah Lubonjë.
“Duke e pas njohur’ e dita në çast që nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili sy mbyllur do të ndihej i marrë nën mbrojtje nga të tërë ata shumë që s’e donin dhe ata jo pak që e donin, por s’do t’i donte asesi rrotull përgjatë kalimit të tij nga kjo botë në tjetrën”, tha pra njeriu që dhe vetë nuk e ka dashur, duke u tallur dikur me pritjen e gjatë të ndjerit për të marrë Nobel-in ëndërruar.
Rama, i cili ka dhe një lloj dëshire epshore për të qenë protagonist fjale në raste të tilla, tregoi për ftesën e Helenës që pikërisht ai ta thoshte fjalën e rastit.
“Kur edhe Helena më çoi fjalë që donte veç fjalën time në këtë funeral, zgjodhi besoj të keqen më të vogël një fjalim të pashmangshëm të rastit nga dikush që nuk flet thjeshtë se ia kërkon detyra, por si dikush që me Ismailin e lidhte kënaqësia e bisedave jo të shpeshta”. /tesheshi.com/
Burimi