Rama, aty ku është nip: Kjo është Himara…!
Kryeministri Edi Rama potencoi sërish zëlartë se Himara është Shqipëri, i ndodhur në Dhërmi, aty ku është nip, për të dorëzuar tituj pronësie të banorë të atyshëm.
“Himarjotët kanë qenë historikisht himarjotë në radhë të parë, bile i kanë thënë vetes aq shumë himarjot, saqë donin të bënin edhe republikë më vete, se janë pak republikë më vete nga mendja, kështu që donin të bënin Republikë më vete edhe këtu në territor. Si na qenka nga kjo tani që Himara na qenka, ca qenkan me Tiranën e ca qenkan me Athinën. Çfarë hyjnë këto këtu? Këto janë pjesë e lodrave politike”, u shpreh Rama, duke vijuar me një lloj retorike romantike më shumë se sa historike.
“Himara është e himarjotëve dhe himarjotët janë ata që janë. Janë në lirinë dhe në drejtën e tyre ta quajnë veten si duan, por sido që ta quajnë veten për nga origjina, në fund të ditës emrin e kanë himarjotë dhe Himara, si Tropoja, si Saranda, si Gjirokastra, si Vlora, si Durrësi është Shqipëri dhe të gjithë, të gjithë ata që jetojnë Himarë janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë, janë të gjithë të barabartë dhe nuk ekziston, nuk mund të ekzistojë në imagjinatën time se mund të ndahem në ca të nënës e ca të njerkës, dhe pastaj secili të zgjedhë se kush është nëna e vet e kush është njerka e vet”, shtoi ai, duke iu përveshur Vangjel Dules së Dropullit.
“Ç’punë ka Vangjel Dulja në Himarë, përveçse si një qytetar i Republikës së Shqipërisë, si çdokush tjetër dhe me çfarë të drejte, me cilën të drejtë i jep gojës për të nxitur përçarje dhe për të folur absurditete dhe për të folur marrëzira, të cilat nuk kanë lidhje fare as me jetën e përditshme të himarjotëve, as me jetën e përditshme të shqiptarëve, as me jetën e përditshme të grekëve, as me Shqipërinë, kanë lidhje vetëm me synimet e disa njerëzve shumë të vegjël që kanë interesa përçarjeje dhe që nuk i përkasin fare këtij shekulli, vijnë nga shekuj të tjerë, vijnë nga territoret më të zymta të historisë”, theksoi Rama. /tesheshi.com/
Burimi