“Ikjet” sipas Gonxhes

“Ikjet” sipas Gonxhes

Numri dy i qeverisjes, Blendi Gonxhe, të cilit Rama i ka ngarkuar dy ministry pa lidhje mes njëra-tjetrës, Ekonominë dhe Kulturën, i shpjegon ndryshe ikjet frenetike që nga 2016-ta e deri sot. Në gjykimin e tij, ato nuk janë pasojë ekskluzive e qeverisjes socialiste.
“Tipari i parë i lirisë është liria e lëvizjes. Është aset i madh kombëtar që të kemi kaq remitanca dhe ndihmë nga bashkëkombasit që kanë arritur sukses jashtë dhe ndihmojnë familjet e tyre këtu. Ky është ekuilibrator shumë i mirë i ekonomisë, sidomos në momente krizash. Diasporën e njoh, kam qenë edhe vetë emigrant, kam bërë edhe hamallin në Greqi në fillim të viteve ’90. Në diasporë sot, ju garantoj që 80% kanë ikur në vitet kur Shqipëria ka qenë e dobët, e ndikuar jo nga qeverisja jonë”, arsyetoi ish-dhjetoristi i spikatur.
“Kanë ikur për shumë vite me radhë dhe ata që duan të kthehen, e kanë të vështirë sepse fëmijët u janë rritur në një vend tjetër. Shumë vështirë që prindi të vendosë të kthehet”, shtoi Gonxhja.
Ai shkoi më tej duke analizuar qeverisjes teksa preku çështjen delikate të pensioneve.
“Efektet e një qeverisjeje të keqe janë minimalisht 4-5 vite më pas. Reformat e gabuara të pensioneve nuk kanë qenë të qëllimshme, por të dobëta. Bënë një formulë llogaritje të pensionit të gabuar dhe njerëzit vendosën që mos ta paguanin fare kontributin. Në vitin 2014 me reformën e re përfituan ata që dolën në vitin 2014, ndërsa për ata që kishin dalë para, vazhduan të marrin pensionin që merrnin. Sepse e tillë është skema kontributive, nuk ndërhyn dot në prapaveprim. Rregullohet skema në momentin kur bëhet reforma. Të gjitha qeveritë do të donin të jepnin nga një mijë euro për pensionistët, por nuk rrënohet ekonomia e vendit. Stabilizimi i pagave shëron skemën e pensioneve”, shpjegoi ministri Gonxhe në A2 CNN.
Edhe ky diplomuar për arte figurative, porsi Rama, por pa i ushtruar ato, një ish-student i kryeministrit, tashmë po shihet si një prej pasardhësve politikë të Ramës në PS.
Mbajtja e dy ministrive “nën sqetull”, ekstreme ndaj njëra-tjetrës, ngjajnë si një test menaxherial se sa dhe si mund t’i mbajnë shpatullat e tij. /tesheshi.com/  
 
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente