Basha, reagim ndaj një poshtërimi

I ndjerë i poshtërruar politikisht nga Gazbardhizmi në PD, i cili e spostoi ulësen e tij në rreshtat e fundit në sallën e seancave plenare të Parlamentit, Lulzim Basha e konsideron si luftë për karrige, pjesë e së cilës refuzon të bëhet pjesë.
“Ajo që sot quhet PD është e ndarë në dy grupe, Sali Berisha me ata që i shkojnë nga pas për të mbrojtur familjen e vet, ndërsa grupi tjetër e kanë nisur për karrige dhe për karrige po vazhdojnë. Natën pasi vërshon uiski, ngrenë dolli për fundin politik dhe biologjik të Sali Berishës, dhe në mendjen e tyre e shohin veten në radhë për suksesion dhe ditën bëjnë gjeste servilizmi për t’i demonstruar besnikëri në funksion të karriges”, tha njeriu që zyrtarisht ka mbetur pa parti, por ekziston me inercinë e një “ish”-i.
Ai premton se do të marrë pjesë në zgjedhje për të shpërbërë atë që ai e quan duopol, por kur pyetet për mënyrën dhe formën se si do kërkojë votat e shqiptarëve, nuk jep një përgjigje të qartë.
Ai pretendon se po drejton një grupim të quajtur Euroaltantikët, që ende nuk dihet se me ç’sigël do konkurrojë në zgjedhje.
“Sepse duopoli është i qartë, në zgjedhjet e ardhshme është e qartë që kush voton për Edi Ramën vazhdon mban Sali Berishën në krye të opozitës. Kush voton Sali Berishën, mban në pushtet Edi Ramën”, tha Basha. /tesheshi.com/
 
 
Burimi