“Alo, alo” e Agim Doçit, hit romantik apo ideologjik?!

“Alo, alo” e Agim Doçit, hit romantik apo ideologjik?!

 “Alo, alo”, një ndër hitet më të pavdekshme të muzikës së lehtë shqiptare, mban në tekst firmën e Agim Doçit, shuar në të gdhirë të kësaj të hëne.
Një ndër tre poetët ikonikë të festivaleve në RTSH, së bashku me Arben Dukën dhe Xhuljana Jorganxhi, mirditoro-kolonjari i diplomuar si inxhinier elektrik, pak do punonte në vitet ‘70-të si i tillë në një prej fronteve të ndërtimit të hidrocentraleve, për të vijuar një karrierë të gjurmwlwnwse artistike si poet e teksteshkrues. Gati aspak ideologjik e pothuajse tërësisht lirik, “Alo Alo” e tij, për paradoks, ka një dozë të madhe ideologjizimi në fabul, ndonëse lirizmi i saj është emocioni i parë dhe pse jo, i vetmi që përftohet.
Fabula e këngës është pak a shumë ajo e filmit “Kur hapen dyert e jetës”, me doktor Bardhylin, i cili sakrifikon dhe dashurinë për të mos i bërë bisht emërimit në fshat, në zonat e thella, për të ushtruar detyrën e mjekut. Dihet se në atë kohë, afshi i çdokujt për qytetin ishte ndër përpjekjet më titanike për një “jetë më të mirë” në kushte izolimi. Ndaj dhe një sërë filmash të asaj kohe e kishin temë trajtimi këtë çështje të mprehtë sociale, e cila mishërohet më së shumti te “Zonja nga qyteti”.
Dhe fabula e “Alo, alo”-s intepretuar nga Luan Zhegu këtë lloj përmban:
 
U dëshëm shumë ne të dy
dhe çdo mëngjes na gjente bashkë
(por)e meriton vallë dashurinë, s’më rri pranë kur unë jam larg
 
Por  unë do shkoj dhe po të mos vish,
se koha mua më kërkon,
s’mund ta kuptosh ti dashurinë,
veç në qytetet me neon…
Dhe këtu ndodh kthesa, pasi ajo pranon ta ndjekë dashurinë e saj edhe jo në qytet, pra të dashurin e emëruar në fshat:
Dikush më tha se t’i do të vish,
s’më zuri gjumi deri vonë,
i the qytetit “lamtumirë”,
“më prit” më the në telefon.
Alo alo, alo, ty të dëgjoja,
dhe zërin tënd të ngrohtë unë pranë e doja…..
Pra, në thelb kemi një fabulë tërësisht ideologjike, por ngërthyer në një kontekst romantik, e dyta prevalon mbi të parën, ndihmuar nga një vijë melodike tejet e ngrohtë për veshin me autor Osman Mulën.
Rast i ngjashëm me këtë është “Pragu i vegjëlisë” me autore Xhuljana Jorganxhi, një këngë që ka në qendër Enverin, pa u përmendur si emër, një lloj varianti muzikor i librit “Vitet e vegjëlisë”, ku ish-udhëheqësi komunist rrëfen fëmijërinë në Gjirokastër.
Erdha prapë te ky prag i dashur,
ku gjithçka me zë të ngrohtë me thotë “mirësevjen”,
dhe çdo zemër portat mbi mban hapur,
mua birin tënd me mall më pret e më përcjellë…
Burimi